2017-07-24 20:29:00

Papa lutet për Charlie Gard. Prindërit: do ta lëmë të ikë me engjëjt


“Papa Françesku  lutet për Charlie-n e për prindërit e tij dhe ndjehet veçanërisht pranë tyre në këtë çast vuajtjeje të jashtëzakonshme”: kështu deklaron drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, në një notë të sotme. “Ati i Shenjtë – shton – kërkon të bashkohemi me të në lutje që të gjejnë ngushëllimin e dashurinë e Zotit”.

Prindërit e Charlie Gard: do ta lëmë të ikë me engjëjt

Nota e Sallës së Shtypit vjen menjëherë pasi prindërit e Charlie-t njoftuan se heqin dorë nga beteja e tyre ligjore për ta çuar fëmijën në SHBA, pasi “është tepër vonë”, siç shihet nga analizat. Vendosën ta lënë Charlie-n të ndahet me dinjitet nga kjo jetë. Vendim “agonizues”, siç e quajti e ëma e Charlie-t, Conny, “që asnjë prind nuk do të kishte dashur ta merrte”.

Prindërit e Charlie Gard akuzuan fuqishëm institucionet: “Tre, ose gjashtë muaj më parë – nënvizuan – kushtet e tij nuk ishin ato të sotmet. Sëmundja e tij është progresive e dëmet janë shtuar. Nëse do të na kishin lejuar ta kuronim me terapinë eksperimentale kur e kërkuam këtë, në janar, kishte një mundësi për ta shpëtuar. Tani nuk do ta dimë kurrë nëse do të kishte pasur rezultat”. E më tej: “Koha mbaroi. Nuk do të mbushë kurrë një vjeç (më 4 gusht), do ta lëmë të ikë me engjëjt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.