2017-07-24 14:55:00

Irak: shtatore të Zojës së Lurdës në vend të atyre, shkatërruar nga Isis


Në ditët nga 20 deri më 25 korrik, në shumë fshatra e qyteza të Pllajës së Ninives, dikur me shumicë të krishterë, 15 shtatore të Zojës së Lurdës zëvendësuan ato të prishura e të hequra nga furia ikonoklaste e xhihadistëve të Isisit, gjatë tri vjetëve të sudimit të tyre në këtë zonë. Në Qarqosh, Telkaif, Alqosh, Karamles e në vende të tjera të Pllajës së Ninives, njofton agjencia katolike Fides, rivendosja e shtatoreve u përjetua nga të krishterët si shenjë e fuqishme kthimi në normalitet. Ata u mblodhën të ngushëlluar rreth tyre, duke u lutur e duke falenderuar Zotin

Shtatore e kryqe të profanuara e të shkatërruara nga Isis

         Gjithçka u bë e mundur falë shoqatës katolike franceze “L’Oeuvre d’Orient” (Çështja e Lindjes), pasi drejtori i përgjithshëm i saj, atë Pascal Gollnish, gjatë udhëtimit në zonë, pati vërejtur numrin e madh të shtatoreve e të kryqeve të profanuara e të shkatërruara nga xhihadistët. Që nga marsi, 15 shtatoret e reja të Zojës së Lurdës u ngarkuan mbi një kamion, që u nis për në Pllajën e Ninives.

Zoja e Lurdës ndihmoi refugjatët në ikjen e tyre

         Ceremonitë për vendosjen e shtatoreve në famulli, shenjtërore apo zona të tjera po zhvillohen me pjesëmarrjen e madhe të besimtarëve të mbetur e të atyre, që janë kthyer nga mërgimi trivjeçar, si edhe në praninë e ipeshkvijve e të klerit. Zoja e Lurdës, që i mbështeti dhe i përkrahu kur ishin refugjatë, i ndihmon edhe tani, në periudhën e rindërtimit material e shpirtëror të vendit.








All the contents on this site are copyrighted ©.