2017-07-23 12:30:00

Papa Françesku tha Lutjen e Engjëllit të Tënzot


Papa Françesku tha sot, si çdo të dielë, Lutjen e Engjëllit të Tënzot, së bashku me besimtarët e mbledhur në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, poshtë dritares së Pallatit Apostolik.

Ungjilli i sotëm na paraqet shembëlltyrën e grurit e të egjrës, e cila na mëson se Zoti nuk ndërhyn menjëherë, me bujë, në historinë e njeriut. Ka durim. Pret. Por në fund të fundit, e keqja zhduket. Mbretëria e Zotit, për të cilën flet Jezu Krishti, nuk imponohet me forcë, sepse i jep mundësinë njerëzimit mëkatar të shndërrohet nga forca e dashurisë. Historia e njeriut përbëhet nga një përzierje e mistershme e së mirës me të keqen. Në fushë është hedhur fara e grurit, por mbin edhe egjra. Zoti i lë të rriten deri në fund, për të ndarë pas të korrave, grurin nga egjra. Ungjilli na fton të kemi durim e të gjitha Leximet përshkohen nga optimizmi. Leximi i parë nga Libri i Urtisë thekson se Zoti i mëshirshëm nxit çdo njeri, pra edhe armiqtë e Izraelit, drejt ndryshimit të jetës. Hyji gjykon me butësi e qeveris me shpirtmadhësi. Ndërsa Shën Pali Apostull, në Leximin e dytë, pohon se nëse e lemë veten në duart e dobësisë, nuk jemi të aftë ta zgjedhim Zotin. Por edhe duke ecur në errësirën e të tashmes, dimë se Shpirti Shenjt u thotë zemrave tona fjalën e vërtetë e përfundimtare, që na orienton drejt Mbretërisë së Hyjit.








All the contents on this site are copyrighted ©.