Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Nga veprimtaria e Papës dhe e Kishës nëpër botë

Papa Françesku në DBR-në e Brazilit, më 2013 - ANSA

23/07/2017 09:30

Dje, u përkujtua 4-vjetori i udhëtimit të parë apostolik ndërkombëtar të Papës Françesku. Ati i Shenjtë pati shkuar në Rio-de-Zhanejro të Brazilit, me rastin e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë, nga 22 deri më 29 korrik 2013. Tema e asaj feste rinore u mor nga Ungjilli sipas Mateut (28,19): “Shkoni e bëjini dishepuj të gjithë popujt”.

         Që sot e deri më 29 korrik, në Asizi, në Domus Pacis të Shën Marisë së Engjëjve, është mbledhur sesioni i 54-t për formimin ekumenik, organizuar nga Sekretariati i Veprimtarive Ekumenike, shoqatë ndërkonfesionale laikësh. Punimet kanë në qendër një temë, marrë nga Veprat e Apostujve (15,28): “Na u duk mirë Shpirtit Shenjt dhe neve. Reforma, profecia dhe tradita në Kisha të ndryshme”. Këtë vit, në plan të parë Reforma protestante e Luterit, në 500-vjetorin e saj. Siç shpjegojnë organizatorët, Reforma shihet jo vetëm si çast historik, nga i cili kanë lindur denominacione të reja të krishtera, por më në përgjithësi, si kërkesë për risim në çdo Kishë, e cila ka për bazë mesazhin e Jezusit të Nazaretit.

         Mbrërriti dje, në Lviv të Ukrainës, shtegtimi i pajtimit i besimtarëve polakë të kryedioqezës së Lublinit, në gjurmët e fra’ Albert Chmielowski, përgjatë rrugës së manastireve baziliane. Nisma, me karakter ekumenik, synon të sensibilizojë për paqen në Ukrainë e në botë. Në shtegtimin, ku u ftuan edhe besimtarët ukrainas, mori pjesë kreu i ipeshkvijve polakë, imzot Stanislaw Gadecki. Pikërisht këtë vit, kremtohet 30-vjetori i risimit të marrëdhënieve ndërmjet episkopatit polak dhe atij greko-katolik në Ukrainë. Kontaktet ishin dobësuar gjatë periudhës së persekutimeve të Kishës greko-katolike ukrainase nga ana e regjimit sovjetik dhe gjatë Luftës II Botërore, kur polakët luftonin nazizmin, ndërsa ukrainasit shpresonin se aleanca me Hitlerin do t’i shpëtonte nga Moska e do t’i bënte të pavarur.

         Që nga 10 deri më 14 gusht, të rinjtë e Evropës dhe të vendeve të Mesdheut do të mblidhen në Itali për të diskutuar mbi temën “Mesdheu, port vëllazërimi”. Takimi do të mbahet në Santa Maria di Leuca, nga ku do të dalë edhe “#cartadileuca.1”, e cila do t’u çojë qeveritarëve thirrjen e të rinjve për ta shndërruar Detin Mesdhe në një arkë Paqeje. Nisma është organizuar nga një sërë institucionesh, ndërmjet të cilave, Fodancioni Migrantes i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, Bashkësia e Shën Egjidit, dioqeza e Ugento-s, etj..

23/07/2017 09:30