2017-07-23 14:46:00

Lindja e Mesme: thirrje e Papës për maturi e dialog


Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku bëri thirrje për Lindjen e Mesme, duke kujtuar se po i ndjek me shqetësim “tensionet e rënda dhe dhunën, që po ushtrohet këto ditë në Jeruzalem”. Më duket e nevojshme të bëj thirrje për maturi e dialog - theksoi Papa - i cili, në vijim, i ftoi besimtarët të bashkohen me të në lutje, “që Zoti t’u frymëzojë të gjithëve mendime pajtimi e paqeje” .

Në terren, ndërkaq, vijon tensioni. Sot paradite shërbimet sekrete izraelite arrestuan, në Cisjordani, së paku 25 vetë. Ndërmjet tyre, disa funksionarë të Hamasit si dhe ish-ministri e parlamentari palestinez, deputeti Omar Abdel Razek. Gjatë ndeshjeve, nisur që të premten e kaluar, deri tani kanë humbur jetën pesë palestinezë. I fundmi, vetëm 17 vjeç, vdiq pas plagëve të rënda, pasojë e shpërthimit të një bombe në veri-perëndim të Nablus. Ndërsa nga pala izraelite mbetën të vrarë tre vetë: tre kolonë të therur me thika në një vendbanim pranë Ramallah.   








All the contents on this site are copyrighted ©.