2017-07-21 14:03:00

Pakistan: një i ri i krishterë akuzohet për blasfemi në Punjab


Edhe një i krishterë tjetër, i akuzuar për blasfemi në Pakistan. Ndodhi në Punjab, ku policia e Dinga, në zonën e Gujiratit, arrestoi të riun Shahzad Masih, duke e akuzuar se ka fyer Muhametin. Sipas burimeve lokale, akuzuesi është anëtar i “Lëvizjes për mbrojtjen e nderit të Profetit”, koalicion prej 42 grupesh fetare e partish politike ekstremiste, që ka edhe përfaqësuesit e vet në parlament.

Prindërit e të riut - njofton agjencia Azianews - tregojnë se i biri, që punon si pastrues në Shamin Riaz Hospital, në Gujirat, muajin e kaluar paskej pasur një grindje me akuzuesin. Grindja u përsërit më 13 korrik, kur Qadri e kishte provokuar rishtas djaloshin e krishterë i cili - gjithnjë sipas akuzuesit – i qe përgjigjur duke sharë Muhametin.

Sipas burimeve, mbas këtij episodi, vetë Qadri - ka shumë mundësi edhe me ndihmën e të tjerëve - e kishte çuar djaloshin në një shkollë islamike të Gujirat, ku e kishte rrahur, duke e detyruar ta pranojë blasfeminë. Në fund,  kishin dalë në skenë edhe anëtarët e Lëvizjes, për t’i mbrojtur nderin Muhametit, duke ia dorëzuar djaloshin policisë së Dingës, e cila tashti e mban në burg.

Nëna e të riut të krishterë shpreh bindjen se akuzat kundër të birit janë të rreme, duke nënvizuar se nuk e kishte mësuar kurrë t’i urrente, as t’i shante besimtarët e feve të tjera. Nuk mund t’ia lejonte këtë vetë feja, së cilës i përket! Njeriu, që fyen fenë e tjetrit, nuk mund të jetë i krishterë – pohojnë familjarët - që, ndërkaq, janë larguar nga shtëpia, të frikësuar prej kërcënimeve. E frika ka pushtuar edhe të krishterët  e tjerë të lagjes të cilët, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera, mund të sulmohen befasisht nga ana e turmave të egërsuara.

Pakistani, përsa i përket blasfemisë, ka një nga ligjet më të rrepta të botës islamike. Kushdo paraqitet, edhe pa prova bindëse, në Komisariat për të akuzuar dikënd se ka fyer Kuranin a Muhametin, mbështetet menjëherë, në dëm të të akuzuarit, që mund të dënohet me burgim, por edhe me vdekje.

Të panumërta, viktimat e këtij ligji: ndërmjet tyre, Azia Bibi, katolike, nënë e 5 fëmijëve, e dënuar me vdekje për fyerje kundër Muhametit, në burg që nga viti 2009. 








All the contents on this site are copyrighted ©.