2017-07-21 14:35:00

Me datën 28 korrik, Shën Kolli kthehet përsëri në Bari nga Rusia


Më 28 korrik, Shën Kolli do të kthehet përsëri në Bari, nga një udhë e largët. Është akoma në Rusi, ku kaloi më se dy muaj, i rrethuar nga nderimi i besimtarëve ortodoksë. Reliket e Shenjtit do të nisen më 28 korrik nga Pjetërburgu me një avion privat të drejtpërdrejtë, pasi në mëngjes do të nderohen nga autoritetet më të larta fetare ortodokse të Rusisë. Shenjti do të arrijë në shtëpi pasditen e 28 korrikut.

Do të pritet me një ceremoni tjetër prekëse, kryesuar nga kryeipeshkvi i Bari- Bitontos dhe delegat papnor për Bazilikën kushtuar ipeshkvit të Myrës si dhe përfaqësues të tjerë të lartë kishtarë e civilë.

“Do të përfundojë, kështu, një nga ngjarjet e rëndësishme fetare dhe ekumenike, që lidhi trojet e Barit, me ato të Moskës e të Pjetërburgut – komenton kryedioqeza përmes një note - duke theksuar se në këtë ngjarje morën pjesë mijëra besimtarë katolikë e ortodoksë, të bashkuar nga devocioni për Shenjtin Mrekullibërës. Ngjarje kjo, që pasoi takimin historik të Patrikut të Moskës dhe të gjithë Rusive Kirill me Papën Françesku, më 12 shkurt 2016. I jashtëzakonshëm për bashkësinë domenikane - përfundon nota e kryeipeshkvisë bareze - ky shtegtim, që të kujton udhën e parë të relikeve nga Myra - në Bari, ku qëndruan 930 vjet pa lëvizur anjëherë. Ishte shtegtimi i parë i gjatë  i Shenjtit, që u prit e u përcoll kudo, me një devocion  prekës nga mijëra ortodoksë rusë. Tani, rikthimi në shtëpi! A do të shtegtojë përsëri Shën Kolli?








All the contents on this site are copyrighted ©.