2017-07-21 18:28:00

Dy të vdekur nga tërmeti në Kos. Dëmtohet kisha katolike e ishullit


Dy turistë gjetën vdekjen e 200 të tjerë u plagosën, gjatë tërmetit prej 6,7 ballësh, që goditi ishullin grek të Kosit, në Detin Egje, si edhe qytetin turk të Bodrumit. Njëri nga turistët është turk e tjetri suedez. Pas lëkundjeve të tokës, u pa edhe një tsunami i vogël në zonën e Bodrumit, ku uji mbërriti rreth 100 metra brenda plazhit, pa shkaktuar dëme. Lëkundjet vijojnë e deri tani, janë regjistruar 160. Të plagosurit janë 120 në Kos, ndër të cilët tre, rëndë, ndërsa në Bodrum janë shtruar në spital 70 të plagosur.

Dëmet nga tërmeti: shkatërrohet edhe një kishë katolike

Të shumta, dëmet nga tërmeti, ndër të cilat mund të përmenden edhe pjesë të trashëgimisë kulturore, si fortesa e shekullit të 14-të, xhamia e lashtë dhe kisha katolike, së bashku me strukturat afër saj. Kryeipeshkvi katolik i Athinës, imzot Sevastianos Rossolatos, vë në dukje se që nga viti 2015, ishulli grek është qendër e rrugës së emigracionit nga Lindja e Mesme në Evropë. Aktualisht, aty strehohen 2.875 emigrantë, të cilët kanë nevojë për ndihmë.

Ishulli i Hipokratit

 Ishulli i Kosit është një nga perlat e Egjeut, por edhe një nga djepet e qytetërimit perëndimor. Këtu lindi mjekësia moderne, siç të kujton tempulli i Eskulapit, hyjnisë greke të mjekësisë. Por sidomos, këtu është lindur Hipokrati e këtu formuloi teoritë e tij të para. Edhe sot e kësaj dite mund të vizitohet Çinari i Hipokratit, nën hijen e të cilit, ati i mjekësisë e kalonte kohën duke studiuar e menduar. Konsiderohet pema më e lashtë e Evropës.








All the contents on this site are copyrighted ©.