Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Dhurim i Papës Françesku FAO-s për të ndihmuar popullsitë e Afrikës lindore

Ndihma për Afrikën - AP

21/07/2017 13:01

Papa Françesku i bën një dhurim FAO-s, për të ndihmuar popullsitë e Afrikës Lindore, të dëmtuara rëndë nga thatësira dhe konfliktet.

Gjesti ka si qëllim t’i inkurajojë qeveritë ta mbështesin veprimtarinë e emergjencës së FAO-s.

Me një nismë të pashembullt, Papa Françesku i dhuroi, simbolikisht, FAO-s,  25 mijë euro, për të ndihmuar popullsitë e Afrikës lindore, të dëmtuara rëndë nga pasiguria e ushqimit dhe nga thatësira.

Françesku deklaron se fondet janë kontribut simbolik për njërin nga programet e FAO-s që furnizon familjet fshatare me farë, në zonat e dëmtuara sa nga pasojat e thatësirës, aq të konflikteve, që godasin njëherësh popullsinë fshatare.

Mendimet e Papës për këtë situatë shprehen në letrën e imzot Fernando Chica Arellano-s, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në Romë, për Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, Josè Graziano da Silva.

“Gjesti i Papës është rrjedhojë e angazhimit marrë në mesazhin e tij drejtuar Konferencës së FAO-s, më 3 korrik 2017, frymëzuar edhe nga dëshira  për t’i inkurajuar qeveritë” – shkruan imzot Chica në letër.

Në muajin shkurt, në disa krahina të Sudanit, u deklarua situata e zisë së bukës. E, ndërsa kjo situatë është duke u përmirësuar pas një shtimi të ndjeshëm të ndihmave humanitare, në vend ka akoma 6 milionë njerëz që luftojnë ditë për ditë për të siguruar ushqimin e duhur.  

Numri i njerëzve, që kanë nevojë për asistencë humanitare në pesë vende të tjera të Afrikës lindore - Somali, Etiopi, Kenia, Tanzani, Ugandë - llogaritet rreth 16 milionë, me një rritje prej 30% në krahasim me vitin 2016.

Papa Françesku, që e ka bërë solidaritetin temë qendrore të papnisë së tij, do ta vizitojë selinë e FAO-s më 16 tetor, për të kremtuar Ditën Botërore të Ushqimit. Tema e sivjetme: “Të ndryshohet ardhmëria e emigracionit. Të investohet në sigurimin ushqimor e në zhvillimin e fshatit”.

21/07/2017 13:01