2017-07-20 14:25:00

Shqetësim i Kishave të Jeruzalemit për tensionin në Sheshin e Xhamive


Krerët dhe përfaqësuesit e të gjitha Kishave dhe bashkësive të krishtera në Jeruzalem shprehin “shqetësimin e thellë” për spiralen e re të tensionit e të dhunës në Haram ash Sharif, pra, në Sheshin e Xhamive. Me një dokument të nënshkruar nga përfaqësuesit e 13 Kishave, për të cilin njofton agjencia katolike Fides, krerët e krishterë dënojnë çdo akt dhune dhe çdo përpjekje për “ndryshimin e Status Quo-së”. Kujtojmë se Status Quo-ja është një dokument ku përmblidhen rregullat, që përcaktojnë administrimin e Vendeve të Shenjta në këtë zonë e në gjithë Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit, duke u garantuar besimtarëve mundësinë për të hyrë e për t’u lutur lirisht. Kohët e fundit, për arsye sigurie, izraelitët kanë vendosur metaldetektor në hyrje të xhamisë al Aqsa.

“Çdo kërcënim kundër Status Quo-së – nënvizohet në dokument – mund të sjellë pasoja të rënda dhe të paparashikueshme, që nuk duhen uruar në atmosferën aktuale të tensionit fetar”. Krerët e krishterë vlerësojnë “ruajtjen e vazhdueshme të xhamisë së Al Aqsa-it dhe të vendeve të shenjta të Jeruzalemit e të Tokës Shenjte nga ana e Mbretërisë hashemite të Jordanisë, e cila u garanton të gjithë myslimanëve të drejtën të hyjnë e të praktikojnë kultin e tyre në xhami, sipas rregullave në fuqi”.

Këto rregulla, të përcaktuara në Status Quo, sipas të krishterëve të Jeruzalemit, duhen “respektuar plotësisht, për të mirën e paqes e të pajtimit të krejt bashkësisë”. Dokumenti nënshkruhet nga të gjithë, që nga Patriarku greko-ortodoks i Jeruzalemit, Teophilos III, tek Administratori Apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit, atë Pierbattista Pizzaballa, e tek Rojtari i Tokës Shenjte, atë Francesco Patton. 








All the contents on this site are copyrighted ©.