2017-07-20 15:45:00

Markoni: 80 vjet më parë, kalonte në amshim “ati” i Radio Vatikanit


Sot kaluan 80 vjet nga vdekja e Guljelmo Markonit, një nga fizikanët e shpikësit më të mëdhenj italianë, themelues i Radio Vatikanit e Çmim Nobel për Fizikën në vitin 1909. Atij i detyrohemi për shpikjen e komunikimeve pa tela e për zhvillimin e mëtejshëm të radios e të televizionit. Gjatë gjithë jetës, iu dhanë 16 laurea “honoris causa”, 25 çmime të ndryshme të rangut të lartë dhe 13 qytetarì nderi.

Lindur në Bolonja më 25 prill 1874, që nga mosha 20-vjeçare filloi eksperimentet e para si autodidakt, i ndihmuar nga mazhordomi i tij. Suksesi i parë qe sinjalizuesi i shtrëngatave, një këmbanë elektrike, që bien në rast rrufeje. Më 8 dhjetor 1895, pas përpjekjeve të shumta, arriti të realizojë një aparat, që mund të komunikojë e të marrë sinjale në distancë përmes alfabetit Morse, duke kapërcyer edhe pengesën natyrore të një kodre. E shtëna e pushkës së mazhordomit, që lajmëronte suksesin e eksperimentit, konsiderohet pagëzimi i radios në Itali.

Për mungesë fondesh, Markoni shkon në Britaninë e Madhe, ku merr patentën për shpikjen e tij dhe vendos një antenë prej 130 metrash, që transmeton sinjalin e parë radiofonik transoqeanik, në një distancë më të madhe se 3.000 km. Më 23 janar 1909, dëshmoi me prova sa rëndësi mund të kishte për shpëtimin e njerëzve dhe të anijeve, sinjali radio për komunikimin në det. Shpëtoi 1700 udhëtarët e transatlantikut amerikan “Republic”, që pati aksident në det. Sinjalit të dërguar me radio i detyrojnë jetën edhe 705 të mbijetuarit nga mbytja e Titanikut më 1912.

I thirrur nga Papa Piu XI, Guljelmo Markoni projektoi dhe realizoi Radio Vatikanin, në bashkëpunim me jezuitin, atë Giuseppe Gianfranceschi, drejtori i parë i saj. Ishte radio me fjalën e fundit të teknikës, që do të jetë në vite, një nga karakteristikat e emitentes së Papës, e cila azhurnohej e azhurnohet vazhdimisht.

Para se Papa Piu XI të përuronte stacionin radiofonik, më 12 shkurt 1931, me fjalët e famshme në latinisht: “Dëgjoni o Qiej, ç’do të them; t’i dëgjojë toka fjalët e gojës sime. Dëgjoni e vini re o popuj të largët”, vetë Guleilmo Markoni tha dy fjalë plot kuptim. “…Valët elektrike do ta çojnë në gjithë botën, përmes hapësirës, fjalën Tuaj të paqes e të bekimit – iu drejtua Papës. – Për rreth 20 shekuj, Papa i Romës i ka kumtuar botës fjalën e Magjisterit të tij Hyjnor, por kjo është hera e parë që zëri juaj mund të dëgjohet njëkohësisht në të gjithë sipërfaqen e tokës. Me ndihmën e Zotit, që vë në dispozicion të njerëzimit shumë forca të mistershme të natyrës, munda ta përgatis këtë mjet, që do t’u çojë besimtarëve të gjithë botës ngushëllimin e dëgjimit të zërit të Atit të Shenjtë…”.

Guljelmo Markoni vdiq në Romë më 20 korrik 1937 e atë ditë, në shenjë zie, stacionet radiofonike të gjithë botës i ndërprenë njëkohësisht transmetimet për dy minuta.








All the contents on this site are copyrighted ©.