Atë Konrad Gjolaj është një nga emrat që rrallë e kurrë përmenden ndër mjetet zyrtare
të komunikimit; një nga njerëzit për të cilët nuk kujtohet kush, kur debatohet pati
apo s'pati disidencë në Shqipërinë e diktaturës, një nga ata që nuk figurojnë në vitrinat
e librarive. Por kjo nuk mund ta shlyejë emrin e tij e të atyre, që flijuan jetën
për t'i qëndruar besnikë Krishtit! Edhe në mos u kujtofshin mbi tokë, besimtarët janë
të sigurt se emrat e tyre janë të shënuar me germa ari në Librin e madh, të amshuar
të qiellit, ku shkruan e shlyen vetë dora e Zotit.
Një prej këtyre emrave po kujtojmë sot: Atë Konrad Gjolajn, që ndërroi jetë
më 20 korrik të vitit 2000 në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkodër.
Jeta e tij, filluar më 2 janar 1918 në Velipojë, është simbol sa i dhimbshëm, aq edhe
i lavdishëm i rrugës që përshkoi shumica e meshtarëve katolikë shqiptarë, dëshmi e
gjallë se në Shqipërinë e diktaturës pati disidencë të fuqishme, në emër të idealeve
të pavdekshme të Fesë e të Atdheut.
Nxënës i një gjermani të kulturuar, që derdhi gjakun në e për tokën shqiptare, bir
në shpirt i së cilës ishte, Don Alfons Trackit, Atë Konradi eci besnikërisht në gjurmët
e mësuesit martir. Ishte vetëm 25 vjeç kur u ngjit në elterin e bazilikës së Shën
Gjonit në Lateran, që njihet si katedralja e Romës, për të kremtuar Meshën e parë,
për ta vijuar pastaj misionin në Atdhe, ku më 1947 u arrestua vetëm pse ishte frat.
I përgatitur me kulturën e përgjithshme më të gjerë të kohës në Liceun "Illyricum"
në Shkodër dhe më pas në Universitetin Antonianum të Romës, ku u doktorua në drejtësi
kanonike, ai diti të mbronte idealet fetare e atdhetare me dinjitet të pashoq e aftësi
të rralla juristi, para gjyqit farsë të komunistëve, drejtuar nga gjykatës të përgatitur
ndër kurse kundër analfabetizmit, në duar të të cilëve qenë partia e pushteti, drejtësia
e vetë jeta. Çuditemi pastaj pse Shqipëria është katandisur në vendin më të varfër
të Evropës!
Në vend që të lirohej me admirim për mbrojtjen e jashtëzakonshme që nxirrte në dritë
pafajësinë e tij, duke fajësuar gjykatësit, për të nisi udha e kryqit, kalvari i një
vendi, ku drejtësia nuk ekzistonte. Rrugën e jetës së tij, sa të mundimshme, aq të
lavdishme, që e përfundoi si sot, më 20 korrik të vitit 2000, na e la trashëgim në
shkrimet e botuara ndër faqet e revistës "Hylli i Dritës" dhe në atë që e quajti "vepra
eme e mbrame" në librit e tij me kujtime "Çinarët".
All the contents on this site are copyrighted ©. |