Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç’do të thotë fjala “shugurim”!

-S.S. Francesco-Basilica Vaticana: Ordinazione Sacerdotale 26-04-2015 - (Copyright L'OSSERVATORE ROMANO - Servizio Fotografico - photo@ossrom.va) - OSS_ROM

20/07/2017 14:35

Të dashur miq, këtyre muajve qershor, korrik e gusht, sipas një tradite, kremtohen shugurimet diakonale e meshtarake, në të gjitha dioqezat e botës, e kështu edhe në dioqezat e trevave shqiptare. Ritet liturgjike të shugurimeve janë me domethënie të veçantë e solemne, çka tërheq vëmendjen e besimtarëve po edhe të rrjeteve shoqërore, për shkak të fjalëve e simboleve të përdorura në paraqitjen e këtyre riteve të Kishës Katolike.

Pikërisht për këtë arsye, vendosëm të sqarojmë sot ç’do të thotë fjala “shugurim”.

Shugurimi është përkushtimi solemn ndaj një qëllimi apo shërbimi të veçantë, zakonisht fetar. Fjala “shugurim” do të thotë “bashkim me ç’është e shenjtë”. Mund të shugurohen njerëz, vende, ose sende e, termi përdoret në mënyra të ndryshme nga grupe të ndryshme.

Në Kishën Katolike, termi “shugurim” përdoret për të treguar se njerëz, ose objekte janë në shërbim të Zotit.  Për shembull, gjatë meshës, shugurohet buka dhe vera. Pra, duke shqiptuar fjalët e Jezusit në Darkën e Mbrame, me hirin e Tënzot, buka dhe vera shndërrohen në Korpin e Gjakun e Krishtit. Në liturgjinë katolike, termi “shugurim” u rezervohet vetëm disa riteve si: bekimi i Bagmit, shugurimi i ipeshkvit dhe kushtimi i një kishe.   

Në kuadrin e përshpirtërisë katolike, përdoret termi “shugurim” edhe në rastin kur një person ia kushton jetën krejtësisht Zotit, duke u bërë meshtar, rregulltar, ose murgeshë. Shugurimi i një meshtari bëhet përmes shtrirjes së duarve sipër kokës së tij nga ana e ipeshkvit.

Diakoni, meshtari dhe ipeshkvi bëjnë pjesë në të ashtuquajturin “Urdhër i Shenjtë”, njëri ndër shtatë Sakramentet e Kishës Katolike (Pagëzimi, Krezmimi, Kungimi, Rrëfimi, Vajimi i të sëmurëve, Urdhëri i Shenjtë, Martesa). Në Katekizmin e Kishës Katolike shkruhet: “Urdhëri është sakramenti, falë të cilit, misioni i besuar nga Krishti Apostujve të vet vazhdon të ushtrohet në Kishë deri në fundin e kohrave: prandaj, është sakramenti i shërbimit apostolik…”.

Në Kishën latine, lista e plotë e dy urdhërave, atij meshtarak dhe atij ipeshkvnor, përmendet për herë të parë në letrën e Papës Kornelio (251-253) për ipeshkvin Fabio të Antiokisë. Para Koncilit II të Vatikanit, Urdhëri i Shenjtë ndahej në dy kategori: urdhërat e mëdhenj (episkopati, presbiteriati, diakonati dhe nëndiakonati) dhe urdhërat e vegjël (akolitati, ekzorcistati, lektorati, hostiariati). Këta të fundit nuk ishin sakramente.

Pas Koncilit II të Vatikanit, urdhërat e vegjël u reduktuan e nuk quhen më urdhëra, por shërbime(ministere), si ai i akolitatit dhe i lektoratit. Përsa u përket urdhërave të mëdhenj, teologjia katolike nuk flet për to në numrin shumës, por dallon tri nivele të të njëjtit sarkament të Urdhërit të Shenjtë:

- Episkopati. Janë ipeshkvijtë, pasardhësit e Apostujve. Ushtrojnë shërbim të trefishtë: atë të këshillimit, të qeverisjes baritore dhe të shenjtërimit të bashkësisë, që u besohet e që zakonisht bën pjesë në një dioqezë. Janë barinjtë e Kishave lokale, duke filluar nga shekulli II pas Krishtit.

- Presbiterati. Janë priftërinjtë, ose meshtarët. Bashkëpunojnë me ipeshkvijtë, më të cilët ndajnë predikimin e Fjalës së Zotit, shugurimin e Eukaristisë dhe kremtime të tjera sakramentore, me përjashtim të Krezmimit dhe të shtrirjes së duarve për dhënien e Urdhërit të Shenjtë. Mund të jenë në krye të një famullie (pra, të një bashkësie territoriale të krishterësh) e kryejnë edhe shërbime të tjera, që u beson ipeshkvi, të cilit duhet t’i binden. Kur dërgohen si misionarë nga dioqeza e tyre, quhen “fidei donum”.

- Diakonati. Diakonët janë bashkëpunëtorë të ipeshkvijve, por nuk kanë funksionin e meshtarisë si ata. Gjithsesi, predikojnë Fjalën e Zotit, mbarështojnë Pagëzimin, asistojnë në kremtimin e Martesës, koordinojnë shërbimin bamirës të Kishës.

Përse quhet “Urdhëri i Shenjtë”? Në epokën romake, kështu quhej një grup njerëzish me funksione publike. Ky term kaloi pastaj në gjuhën kishtare për të treguar një “kolegj”, ose një grup njerëzish të ngarkuar me shërbime baritore, ose me mbarështimin e një kulti. Ashtu si për Sakramentet e Pagëzimit e të Krezmimit, në teologjinë katolike thuhet se urdhëri të jep një vulë të përhershme (karakter), pra, mbetet i vlefshëm për gjithë jetën e nuk shlyhet, pavarësisht nga braktisja e tij nga ana e personit, ose nga dënimi që mund t’i jepet atij nga organet përkatëse kishtare.

20/07/2017 14:35