Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa i shkruan një fëmije: faleminderit për shtegtimin me Unitalsin

Andrea me të motrën, Gaia, me bluzën e Unitalsit - ANSA

18/07/2017 18:38

“I dashur Andrea, u kënaqa shumë kur mora letrën tënde e kur mësova për aventurën tënde të këndshme me Unitalsin: shtegtimin e gëzimit në Loreto për fëmijët. Dikush më tha se para se të më dërgoje letrën ia ke lexuar shokëve e, kur i pyete nëse donin të ma dërgoje, duartrokitën me forcë. Atëherë, faleminderit për fjalët e bukura e faleminderit edhe të gjithë shokëve të tu të Loretos. Faleminderit edhe për fotografinë e grupit, që më ke dërguar, ku munda të shihja se jeni shumë e të mrekullueshëm! Ndërsa shikoja çdo fytyrë në fotografi, iu luta Zojës së Loretos për ju e ju bekova me gjithë zemër, së bashku me prindërit, vullnetarët, meshtarët e përgjegjësit e Unitalsit”.

Papa Françesku i përgjigjet kështu letrës së Andreas, të cilit e ëma i kishte bërë dhuratë për Kungimin e Parë, një shtegtim me Unitalsin, Bashkimin Italian për Transportimin e të sëmurëve në Lourdes e në shenjtëroret ndërkombëtare. E vogëlushi, në emër të gjithë fëmijëve me aftësi ndryshe, pjesëmarrës në Shtegtimin e Gëzimit, deshi t’i shkruante Papës për t’ia treguar.

“I dashur Papa Françesku, quhem Andrea, jam 9 vjeç dhe banoj në Latina. Mora Jezusin në zemër për herë të parë të dielën, më 4 qershor. Mami mendoi të më bënte si dhuratë pjesëmarrjen, së bashku me motrën time Gaia, në shtegtimin e fëmijëve të sëmurë, organizuar nga Unitalsi, seksioni Romak Lacial. Jemi më se 130 fëmijë e disa, shumë të sëmurë, të tjerë, në karrige me rrota e të tjerë akoma janë vetëm, shoqëruar nga disa murgesha. Unë luaj e flas me të gjithë dhe kam mësuar shumë gjëra. Këtu, don Gianni na fton çdo ditë të lutemi për ty e atëherë, mendova të të njoftoj. Dje bëmë një fotografi të gjithë së bashku. Mendova ta dërgoj një për dhuratë: kështu, na sheh të gjithëve, megjithëse ka fëmijë që nuk mund të dalin në fotografi. Por ne njihemi me njëri-tjetrin e të themi se të duam shumë. A mund të të kërkoj dy gjëra? Në fund të meshës na japin gjithmonë bekimin. A mund të na bekosh ndërsa e shikon fotografinë, që nesër të jemi të mirë si ti? E, nëse mundesh, pse s’vjen edhe ti vitin tjetër në Loreto? Më thanë se po i njëjti shtegtim i fëmijëve në Loreto do të organizohet vitin e ardhshëm në qershor… sa bukur do të ishte! Tani po të lë e nëse do të kisha mundësi do të të përqafoja, siç bëj me mamin dhe babin”.

“Faleminderit për ftesën që të vij në shtegtim me ju – lexohet në përgjigjen e Papës Françesku. Të rri me fëmijët është për mua gëzimi më i madh. Një proverb pohon: ‘kurrë mos thuaj kurrë!’ e atëherë, le t’ia besojmë duarve të Provanisë Hyjnore këtë ëndërr”.

18/07/2017 18:38