2017-07-18 12:36:00

Papa emëroi Imzot Morandin, sekretar të ri të Kongregatës për Doktrinën e Fesë


Papa Françesku emëroi sekretarin e ri të Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Ai është imzot Giacomo Morandi, deri tani, zv.sekretar në të njëjtin dikaster të Vatikanit. Gjithashtu, Ati i Shenjtë e ngriti në rangun e kryeipeshkvit me seli titullare në Cerveteri. Këtë detyrë, para tij, e pati kryer imzot Luis Francisco Ladaria Ferrer, emëruar më 1 korrik, prefekt i Kongregatës, në vend të kardinalit Gerhard Ludwig Mueller, që doli në pension.

 Imzot Morandi lindi në Modena më 24 gusht 1965 dhe u shugurua meshtar për të shërbyer në kryedioqezën e Modena-Nonantola në vitin 1990. Më pas, mori diplomën e liçencës në Shkencat Biblike në Institutin Papnor Biblik të Romës, në vitin 1992, ndërsa më 2008, vijoi me liçencën dhe doktoraturën në Teologjinë e Ungjillëzimit (Misiologji) në Universitetin Papnor Gregorian.

 Pasi pati disa detyra baritore, u emërua vikar ipeshkvnor për katekizmin, ungjillëzimin, kulturën e, më pas, kryeprift i Kapitullit të Katedrales e vikar i përgjithshëm i kryedioqezës Modena-Nonantola. Pedagog i Shkrimit Shenjt në Institutin e Lartë të Shkencave Fetare në Modena dhe i ekzegjezës patristike në Atelienë e Teologjisë “Kard. Tomas Spidlik” në Qendrën Aletti të Romës, në vitin 2015 u emërua zv.sekretar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.