2017-07-18 00:00:00

Kosova përgatitet për e shugurimin e Kishës së re Shën Nënë Tereza, në Prishtinë


Kisha katolike në Kosovë po përgatitet për kremtimin e shugurimit të Kishës së re kushtuar Shën Nënë Terezës, në Prishtinë, më 5 shtatorin e ardhshëm. Në ngjarjen solemne do të jetë i pranishëm i Dërguari i Papës Françesku, kardinali shqiptar, hirësia Tij dom Ernest Troshani-Simoni. Një emër e prani domethënëse kjo e kardinalit martir shqiptar në këtë ngjarje kishtare e jo vetëm. Për këtë ngjarje Kisha katolike e Kosovës ka filluar përgatitjet me disa nisma, po më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt....

Katedralja “Shën Nënë Tereza” në shërbim të Zotit dhe popullit

Katedralja “Shën Nënë Tereza” në Prishtine tashmë gjithnjë po e merr pamjen edhe më të bukur. Aty po punohet intensivisht për ti përfunduar punimet, në mënyrë që, të jetë e gatshme më 5 shtator kur dhe do të bëhet shugurimi i saj, pikërisht në një vjetorin e shenjtërimit te Nene Terezës.

Me këtë datë edhe përmbushet amaneti i dy burrave të mëdhenj të Kosovë, dr. Ibrahim Rugovës e Imzot Mark Sopit, të cilët vunë gur themelin e Kishë katedrale dhe e bekuan atë më 26 gusht 2005, duke përuruar punimet, që vijuan pak më vonë.

Ipeshkvi aktual i Kosovës, Imzot Dode Gjergji dhe i gjithë kleri katolik në Kosovë, me ndihmën e Zotit e me përkushtimin e tyre, të miqve e njerëzve vullnetmirë, brenda e jashtë vendit, tashmë po e finalizojnë këtë amanet. Eshtë përgatitur edhe programi i kremtimit të kësaj feste të madhe për Kosovën.

Të shtunën e kaluar, më 15 korrik, në një konferencë për medie në rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës në Prishtinë, u shpalosen disa detaje që i paraprijnë kësaj ngjarjeje me interes për vendin.

Vikari i Përgjithshëm i Kishës së Kosovës, Mons. Lush Gjergji, duke iu drejtuar gazetarëve tha: "Sot kam nderin të japë një lajm të gëzueshëm se Papa Françesku e ka emëruar përfaqësues personal të tij për shugurimin e Shenjtores “Nënë Tereza”, kardinalin shqiptar, Ernest Troshani". Ai shtoi se shugurimi i katedrales është akti i fundit që ky tempull kulti të vihet në shërbim të Zotit dhe popullit.

“Me këtë akt po realizohet një dëshirë dhe ëndërr, do të thosha e kamotshme dhe një nevojë e madhe e kishës vendore në Kosovë, synim edhe i dy figurave të mëdha që tashmë kane kaluar në amshim,  shkëlqesisë së tij Imzot Mark Sopi, ipeshkvit i cili është angazhuar me mish e me shpirt për ndërtimin, si dhe të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, por edhe të shumë miqve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë“, tha Mons Lush Gjergji.

Me këtë rast u publikua edhe stema me simbolin e kësaj ngjarjeje të madhe. Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, dr. don Shan Zefi tha se kjo stemë, për brezat e ardhshëm do të jetë një dëshmi për atë se çka ka ndodhur. Ai shpjegoi se stema është vepër e artistit të ri Lin Halili, në të cilën katedralja e paraqitur brenda dy krahëve të shqiponjës, simbolizon kishën dhe popullin qe e kane lindur Nene Terezën.

Ndërsa, Don Lorenc Sopi duke e konsideruar këtë  ngjarje shumë të rëndësishme për gjithë popullin shqiptar, tha se  kremtimi për shugurimin e Katedrales “Nene Tereza” do të fillojë më 26 gusht, në ditën kur bie ditëlindja e Nënë Terezës, e do të vazhdojë me aktivitete të ndryshme, për të kulmuar kremtimi më 5 shtator 2017, datë kur edhe bëhet shugurimi i Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës.  

Rabie-Mrika Ibraj nga Prishtina








All the contents on this site are copyrighted ©.