Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Kardinali Sandri përfundon shtegtimin në Ukrainë: shpresoj në një ardhmëri me paqe

Procesioni në Shenjtëroren e Zarvanytsia - RV

17/07/2017 15:45

Kardinali Leonardo Sandri e përfundoi shtegtimin e tij në Ukrainë, nisur më 11 korrik. Sot, kthimi në Romë. Dje prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, me rastin e shtegtimit marian kombëtar, bashkëkremtoi liturgjinë Hyjnore në Shenjtëroren e Zojës së Zarvanytsia, kryesuar nga kryeipeshkvi i madh i Kyiv-Halyč, Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës greko-katolike të Ukrainës. Me këtë rast kardinali Sandri lartoi përsëri lutjen për paqe e për përfundimin e vuajtjeve të shumë njerëzve, duke i çuar popullit afërsinë dhe bekimin e Papës Françesku. Për këtë ngjarje, të dëgjojmë kardinalin Sandri, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Për mua ky ishte çasti kulmor i gjithë shtegtimit në Ukrainë, sepse, duke menduar për takimet e mëparshme në zonat ku pashë vuajtjet e të shpëngulurve, m’u duk sikur po e mblidhja gjithë këtë realitet në një shportë shpirtërore ofertash, për t’ia besuar Zojës, duke e vënë tek këmbët e Saj. E këtë e bëra personalisht, duke kujtuar bujarinë dhe dashurinë e Atit të Shenjtë për Ukrainën. Por e bënë edhe ukrainasit; një mrekulli! Pjesëmarrja në shtegtim, sidomos e të rinjve - gjatë gjithë natës me mbrëmësoren e pastaj në Liturgjinë e djeshme - ishte vërtet e bindshme. Ashtu edhe rrëfimet, një ditë më parë. Dukej sikur njerëzit thoshin: “Përmes Marisë, duam të arrijmë tek Krishti”. Kështu mund të them se për mua ishte përfundim vërtet i bukur  i këtij shtegtimi: tek këmbët e Zojës me gjithë Kishën katolike, me gjithë besimtarët, që morën pjesë personalisht ose përmes radios e televizionit, e kështu e vura në duart e Saj gjithë ardhmërinë, që shpresojmë të jetë plot me paqe e harmoni për këtë vend të dashur.

Pyetje: - A mund të na bëni një bilanc të këtij shtegtimi në Ukrainë?

Përgjigje: - Për mua, bilanci është shumë pozitiv, edhe pse u shoqërova nga kryeipeshkvi i madh greko-katolik e, pastaj, edhe nga nunci apostolik, që më ndoqën kudo shkela. Më krijoi siguri ky shoqërim, në një vend ku ka shumë emërtime fetare e ku, prandaj, duhet të jesh  mjaft i vëmendhsëm ndaj të gjithëve. Prej këndej, më ndihmoi shumë ky shoqërim. Pastaj gjeta kudo një klimë shprese. Shpresë për ta parë  këtë vend, Ukrainën, duke jetuar në paqe e harmoni për të gjithë. Duhet nënvizuar edhe prania e ipeshkvijve latinë, në të gjitha kremtimet. Dje nuk ishin të pranishëm në Meshë, por disa qenë  natën e kremtimit, sepse dje kishin Pajtoren e tyre, Zojën – e me ta ishte edhe kardinali Grocholewski. E gjithë kjo sjell larmi të madhe, që ka nevojë për bashkim. E dy fjalët më të theksuara - kujtoj - të Sinodit për Lindjen e Mesme, ishin “bashkim e dëshmi”. Si në Aparecidë të Amerikës Latine, ku u theksua se para së gjithash duhet të jemi dishepuj e misionarë. Prej këndej, mendoj e shpresoj se ky shtegtim e thelloi bashkimin me Zotin e ndërmjet vëllezërve, ndërmjet të gjitha Kishave, e edhe kështu u dëshmua Ungjilli, hiri e shenjtërimi i Krishtit!  

17/07/2017 15:45