2017-07-16 15:09:00

Zoja e Karmelit. Papa: Maria na ndihmoftë ta pastrojmë zemrën


Ditën kur Kisha kremton festën e Zojës së Karmelit, Papa, në Engjëllin e Tënzot i lartoi lutjen Marisë, “Zojës së pashoqe në pranimin e Fjalës së Hyjit e në vënien e saj në jetë, që të na ndihmojë ta pastrojmë zemrën dhe ta ruajmë gjithnjë në të praninë e Zotit ”. Përshëndeti edhe motrat e vëllezërit karmelitanë, duke uruar “të ecin me vendosmëri në rrugën e kundrimit”.
Pastaj u kushtoi edhe një tweet: “Ta lëmë Virgjërën Mari të na prijë në shtegun mbi malin shenjt, që është Krishti, ku takohen Zoti e njeriu”.

Rikujtojmë se kjo festë u themelua në shekullin XII, kur disa shtegtarë perëndimorë u vendosën në Malin e Karmelit, mbi qytetin e sotëm Haifa, ku pati banuar Elia profet (krh Mbr. 18,19-46). Këtu ngritën një manastir, në të cilin nisën të jetojnë si vetmitarë, duke parë në Marinë, rojtaren shembullore të Fjalës së Zotit e modelin e jetës kundruese. Niste, kështu, Urdhëri i Karmelitanëve. Festa e Zojës së Karmelit, e cila ndër shqiptarë njihet si Zoja Karmë, kremtim kryesor i Urdhërit karmelitan, u caktua si festë liturgjike për të përkujtuar 16 korrikun e vitit 1251, kur Zoja e Bekuar iu duk Simonit Stock, asokohe epror i përgjithshëm. E gjatë këtij takimi, Maria i dorëzoi skapolarin (nga latinishtja scapula - shpatull), simbol i një petku të vogël prej  stofi,  i cili do të bëhej burim hiresh për ata, që e nderojnë kultin e Saj. Më 1786, Papa Benedikti XVI e shtriu festën liturgjike të Zojës së Karmelit në mbarë Kishën latine.








All the contents on this site are copyrighted ©.