2017-07-16 13:47:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: Jezusi nuk imponohet, por propozohet, duke u dhuruar


Papa Françesku kryesoi lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës në një ditë të valë vere, në praninë e shumë shtegtarëve, mbledhur nga mbarë bota në Sheshin e Shën Pjetrit, nën diellin përvëlues. Në qendër të katekizmit papnor, Ungjilli i shëmbëlltyrës së mirënjohur të farëhedhësit.

Farëhedhësi - shpjegoi Françesku - është Jezusi që, duke na u paraqitur me këtë figurë, nuk imponohet, por propozohet; nuk na tërheq duke na pushtuar, por duke u dhuruar, duke hedhur me durim e bujari në zemrat tona, farën e Fjalës së Tij. Nuk është kafaz, e as kurth, por farë, që mund të sjellë shumë fryt, nëse e pranojmë. Jezusi - vërejti Papa - i bën një lloj radiografie shpirtërore zemrës sonë, truall, mbi të cilin bie fara e Fjalës:

“Zemra jonë, si truall, mund të jetë e mirë, e atëhere Fjala sjell fryt, e shumë, por mund të jetë edhe tokë djerr, e papërshkueshme. Kjo ndodh kur e dëgjojmë Fjalën, por ajo bie mbi ne, si të binte në rrugë të madhe”.

Ndërmjet tokës së mirë e rrugës, janë dy troje të tjera të ndërmjetme. I pari është djerrinë. Këtu fara mbin, por nuk mund të lëshojë rrënjë të thella:

“Kështu është zemra e cekët, që e pranon Zotin, dëshiron t’i lutet, ta dëshmojë, por nuk është durimtare, lodhet e nuk arrin kurrë të lartohet kah Ai. Është zemër pa thellësi, ku ka më shumë gurë e përtaci, sesa tokë pjellore e ku dashuria është e paqëndrueshme, kalimtare. Por kush e takon Zotin vetëm atëhere, kur i shkon për shtat, nuk sjell fryt”.

Eshtë, pastaj, toka skërkë, plot me ferra e shkurre, që ia marrin frymën bimëve të mira. Ferrat e shkurret - shpjegoi Papa - na kujtojnë shqetësimet e botës e joshjen e pasurisë:

“Shkurret janë veset, që i kundërvihen Zotit, ia marrin frymën pranisë së Tij. Janë sidomos idhujt e kamjes së botës, babëzisë, prirjes për të jetuar vetëm për vetveten, për pasuri, për pushtet. Po t’i kultivojmë këto shkurre, do t’ia marrim frymën pranisë së Zotit në zemrat tona. Secili i njeh mirë shkurret, të vogla a të mëdha, veset, që banojnë në zemrën e  tij”.

Këto rrozga me rrënjë diku më të thella e diku më të cekëta, nuk i pëlqejnë aspak Zotit e ne na pengojnë të kemi një zemër të pastër. Duhet t’i shkulim e t’i flakim tutje, përndryshe Fjala e Zotit nuk do të sjellë fryt.

Jezusi - pohoi Papa - na fton të shikojmë brenda vetes: ta falënderojmë Zotin për truallin e mirë e t’i punojmë trojet e mbetura djerr:

“Ta marrim guximin për të bërë një bonifikim të mirë të trojeve, bonifikim të zemrës sonë, duke ia çuar gurë e shkurre Zotit në Rrëfim e në lutje. E duke vepruar kështu, Jezusi, farëhedhësi i mirë, do ta vijojë vetë punën e mbetur pa u bërë: do ta pastrojë zemrën tonë, duke i flakur tutje gurët e gjembat, që nuk e lejojnë Fjalën e Tij  të rritet e të japë shumë fryt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.