2017-07-15 14:39:00

Shën Bonaventura na kujton se Zoti me arsye dhe me forcën e dashurisë


Më 15 korrik kalendari Kishtar përkujton Shën Bonaventurën, teolog e mistik i madh françeskan. Papa Benedikti XVI për Shën Bonaventurën pati thënë: Kisha ndjek idealin e tij të pastërtisë, të varfërisë e të bindjes, duke harmonizuar fenë me kulturën. Kisha le ta bëjë të vetin stilin e një jete të pastër, të varfër, të bindur: këtë,pra, pohoi Benedikti XVI në audiencën e të përgjithshme të 3 marsit 2010, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, përballë tetë mijë besimtarëve. Papa Ratzinger ia kushtoi katekizmin Shën Bonaventurës së Banjorexhos, doktor i Kishës, që arriti të harmonizonte përshpirtërinë françeskane me reflektimin teologjik. 

Bonaventura lindi më 1217 në Banjoregjo në provincën e Viterbos, u bë frat, gjeneral i Urdhrit e pastaj kardinal e ipeshkëv i Albanos. Vdiq më 1274 gjatë Koncilit II të Lionit në Francë. Njihet si një nga teologët më të mëdhenj të Kishës katolike. Por mbi ç’ baza ngrihet teologjia e tij?

Bonaventura është teolog me shpirt thellësisht mistik. Për të gjithçka është në shërbim të thellimit të përvojës të jetës së fesë. Është shpirt françeskan, që e shikon Zotin si vlerën më të lartë për njeriun, sepse njeriu vjen nga Zoti e duhet të kthehet tek Zoti, përmes ndërmjetësimit të Fjalës së mishëruar e të kryqëzuar. E ai, Bonaventura, e jeton thellësisht përvojën mistike si bashkim kundrues plot dashuri me Zotin, e mira më e Lartë, që e bën të jetojë qysh në tokë përvojën e bashkimit intim me Hyjin, e cila provohet vetëm në Parajsë.

Shën Bonaventura ka thënë: “Nuk mjafton studimi - pa mrekullinë, s’mjafton shkenca - pa dashurinë e krishterë, e s’mjafton mençuria - pa përvujtërinë”.
U shpreh kështu me vetëdijen e plotë se i gjithë misteri i përvojës së krishterë është dhuratë që vjen nga Zoti, është dhuratë e Shpirtit Shenjt e se nisma është e Zotit. Gjithçka jemi vjen nga Zoti, i cili pret që ne ta lemë vetën në duart e tij, në vullnetin e tij e të marrim pjesë në nismën hyjnore. 

Papa Benedikti XVI në audiencën e të përgjithshme të 3 marsit 2010 e kujtoi figurën e Shenjtit duke thënë se ishte: “Njeri i mirë, i ëmbël, i përshpirtshëm e i mëshirshëm, përplot me virtyte, i dashur nga Zoti e nga njeriu”: Benedikti XVI mori hua fjalët e një lëvdate të lashtë papnore, për të pikturuar me të portretin e Shën Bonaventurës nga Banjorexho. Njeri i veprimit e i kundrimit – nënvizoi Benedikti XVI - ai dha një kontribut tejet të çmuar për krijimin e harmonisë ndërmjet fesë e kulturës. Më pas Papa përmendi shtegtimin e tij në Banjorexho e u kujtoi besimtarëve të pranishëm në audiencë se që në rini kishte ushqyer një dashuri të posaçme për Shenjtin teolog: “Ju rrëfej se, duke e paraqitur këtë argument, provoj një farë nostalgjie, sepse më vijnë përsëri në mend kërkimet e rinisë, pikërisht mbi këtë autor, të cilin e kam dashur gjithnjë në mënyrë të veçantë. Njohja e tij ka ndikuar jo pak në formimin tim”.

Benedikti XVI përshkroi shkurtimisht jetën e dijetarit të madh, me emrin rregulltar Bonaventura, në pagëzim, Gjovani da Fidanca. Një ngjarje, që i ndodhi kur ishte ende fëmijë – vijoi të tregonte Papa - i la gjurmë aq të thella, sa t’ia ndryshonte krejt rrjedhën e jetës. U sëmur rëndë e, në prag të vdekjes, u rikthye në jetë falë Shën Françeskut të Asizit, të cilit e ëma i kishte kërkuar të ndërmjetësonte për shpëtimin e të birit. Gjoni do të tregonte, më vonë, se kur u njoh me françeskanët, mbeti aq i mahnitur nga jeta thellësisht ungjillore e vëllezërve të vegjël, sa të ndjente thirrjen e pakundërshtueshme për të hyrë në familjen e madhe të dishepujve të Shën Françeskut.

Ati i Shenjtë Ratzinger kujtoi fjalët e vetë Shën Bonaventurës për arsyet që e shtynë të zgjidhte këtë rrugë: “Shkruan kështu, në një letër drejtuar një vëllai tjetër: “Rrëfej para Zotit se arsyeja, që më bëri ta dua më shumë jetën e të lumit Françesk, është se ajo i ngjet zanafillës e rritjes së Kishës. Kisha zuri fill me ca peshkatarë të thjeshtë, e në vijim, u pasurua me dijetarë të ndritur e të urtë; feja e të lumit Françesk nuk buroi nga maturia njerëzore, por nga Krishti”.

Në vitin 1243 Gjoni veshi zhgunin françeskan e mori emrin Bonaventura. Nisi, kështu, në Paris, edhe studimet e teologjisë. Gjatë studimeve, arriti të fitojë pjekuri e ndjeshmëri të thellë shpirtërore, me vlerë të madhe, e kështu - vijoi Papa - arriti të bëhej një nga teologët më të rëndësishëm të historisë së Kishës. Më pas Benedikti XVI u ndalua posaçërisht tek puna e diplomës, që mbrojti Shenjti françeskan, për të marrë titullin e teologut. Titullohej: “Çështje mbi njohjen e Krishtit”: “Ky argument flet vetë për rolin qendror, që pati gjithnjë Krishti në jetën e në mësimin e Shën Bonaventurës. Mund të themi, pa asnjë dyshim, se gjithë mendimi i tij ishte thellësisht kristocentrik”.

Në vitet kur Shën Bonaventura ndodhej në Paris – vijoi të kujtonte Papa Benedikti XVI – vihej në dyshim jo vetëm vlera e mësimdhënies së françeskanëve e domenikanëve në universitete, por edhe vetë vërtetësia e jetës së tyre rregulltare. E kjo – reflektoi Ati i Shenjtë – për shkak se ndryshimet që sollën Urdhrat e Lypësve në mënyrën e kuptimit të jetës rregulltare, ishin aq të reja, sa jo të gjithë arrinin t’i kuptonin. Kësaj, pastaj, duhet t’i shtojmë edhe zilinë e smirën, ligështi që nuk mungojnë as në jetën e rregulltarëve.

Bonaventura u mor me këtë çështje në veprën e tij “Përsosuria ungjillore”, në të cilën dëshmon se Urdhrat e Lypsëve, duke vënë në jetë kushtin e varfërisë, të pastërtisë e të bindjes, ndiqnin këshillat e vetë Ungjillit. E ky është një mësim gjithnjë aktual:
“Kisha u bë më e ndritur e më e bukur përmes besnikërisë së këtyre bijve e bijave të veta, të cilët jo vetëm që vunë në jetë mësimet ungjillore por, me hir të Zotit, janë të thirrur t’i respektojnë këshillat e të dëshmojnë kështu, me stilin e jetës së tyre të varfër, të pastër e të nënshtruar, se Ungjilli është burim gëzimi e përsosurie”.

Shën Bonaventura do të ishte, për 17 vjet me radhë, edhe epror i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël. E këtë detyrë e kreu me urti e përkushtim, por edhe me rreptësi, kur ishte fjala për t’iu kundërvënë shpërdorimeve. Për të shmangur rrezikun e përçarjes brenda Urdhrit, shkroi një tekst për njëjtësimin e normave, që rregullonin jetën e përditshme të fretërve të vegjël”: “Bonaventura e kuptoi se urdhrat, edhe kur janë të frymëzuar e të matur, nuk mjaftojnë për të siguruar bashkimin e shpirtrave e të zemrave. Zemrat e shpirtrat bëhen një, vetëm kur kanë të njëjtat ideale”.

Për këtë arsye Bonaventura deshi të paraqesë karizmën e vërtetë të Shën Françeskut, jetën e mësimin e tij. Dëgjoi, prandaj, me vëmendje të madhe, kujtimet e atyre, që e kishin njohur drejtpërdrejt Françeskun. Lindi, kështu, jetëshkrimi i Shenjtit të Asizit. Ja edhe portreti i Shën Françeskut, dalë nga zemra e nga penda e birit të tij të devoçëm e pasardhësit të tij, Shën Bonaventurës: “Françesku është një Krisht tjetër, një njeri, që e kërkoi me pasion Krishtin.

Përmes dashurisë, që të shtyn drejt përngjasimit, ai u bë plotësisht një me Të”. Bonaventura i ftonte të gjithë ithtarët e Françeskut të ndiqnin këtë ideal të gjallë. E ky ideal, me vlerë për çdo të krishterë, dje, sot e përgjithmonë, është edhe programi i Kishës së mijëvjeçarit të tretë, përvijuar nga Paraardhësi im i nderuar, Gjon Pali II”. Është një program, që ka në qendër vetë Krishtin, për ta njohur, për ta dashur, për ta imituar, për të jetuar në Të jetën trinitare e për ta shndërruar, me Të, historinë, deri në përkryerjen e saj, deri tek Jerusalemi qiellor.








All the contents on this site are copyrighted ©.