Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Papa: kardinali Ernest Simoni, i dërguar i Papës për shugurimin e Kishës Nënë Tereza në Prishtinë

Papa Françesku perqafon kardinalin shqiptar Ernest Troshani Simoni, 11-11-2016 - OSS_ROM

15/07/2017 14:47

Papa Françesku emëroi kardinalin Ernest Troshani Simoni, të dërguar të posaçëm për shugurimin e Kishës kushtuar “Shën Nënë Terezës së Kalkutës” në qytetin e Prishtinës (Administratura Apostolike e Prizrenit). Shugurimi i Kishës do të kremtohet më 5 shtatorin e ardhshëm. Njoftimin e jep Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

Duke shfletuar “revistën “Drita”

Ndërkaq, në faqet e “Dritës”, revistë  e Kishës katolike të Kosovës, shkruhet: “Vjet, më 4 shtator 2016 në Vatikan, Papa Françesku e shpalli Shenjte Nënë Terezën. Ndërsa sivjet, në njëvjetorin e Shenjtërimit të Saj, do të shugurojmë Kishën “Nënë Tereza” në Prishtinë. Motoja e Ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjegjit, është: “Vjet në Romë – sivjet në Prishtinë”. Kjo e thekson edhe më fort ngjarjen e rëndësishme, shugurimin e kishës kushtuar Bijës më të madhe, që ka nxjerrë deri më sot nga gjiri i vet  populli shiqiptar.

Pakëz histori

Kisha e "Nënë Terezës" në Prishtinë është ndërtesa kishtare kryesore katolike në Kosovë, e ngritur me propozimin e Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Plani për ndërtimin e saj u miratua nga Qeveria në vitin 2007. Guri i themelit u vu më 26 gusht të vitit 2005, ndërsa ndërtimi nisi me 5 shtator 2007, ditën e 10-vjetorit të kalimit në amshim të Nënë Terezës. Punimet u kryen dhjetë vjet pas bekimit dhe vendosjes së gurit të parë. Sivjet ipeshkvia e Kosovës synon t’i përfundojë punimet e parashikuara, që kisha të jetë gati më 5 shtator 2017, për festën e saj kulmore, shugurimin. Për më tepër, nga duart e një kardinali shqiptar, edhe ai vetë simbol i martirizimit dhe lumnimit të Kishës martire shqiptare.

Kisha - si Shën Nënë Tereza - simbol qytetërimi

Ndonëse fillimi i punimeve nuk kaloi pa polemika, nganjëherë edhe të ndezura, sot shumica e kosovarëve e shikon Katedralen si simbol të tolerancës, të paqes, pajtimit ndërmjet bashkësive fetare, që jetojnë në Kosovë, por edhe si simbol i qytetërimit perëndimor, gjë që u bie menjëherë në sy vizitorëve të interesuar për Kosovën

Një qendër kulture, për të gjithë

Ndërmjet mjediseve të kishës, kujtojmë edhe Qendrën kulturore “Imzot Pjetër Bogdani”, një hapësirë e madhe sa vetë ndërtesa kishtare, në shërbim të veprimtarive kulturore dhe artistike për të gjithë qytetarët.

Ujë, që të kujton Gurrën e Pagëzimit

Për t’u theksuar, një ngjarje që ndodhi gjatë ndërtimit. Nësa punëtorët kërkonin ujë për vijimin e punimeve, në truallin e katedrales, në thellësi prej njëqind metrash gurroi ujë mineral i një cilësie të lartë. Pasi iu bënë të gjitha analizat dhe doli i pijshëm, u mendua të bekohet e të përdoret nga besimtarët. Kështu katedralja Shën Nënë Tereza u shënua ndërmjet ndërtesave të rralla kishtare të botës, që kanë brenda mureve të tyre burime uji, të cilat të kujtojnë menjëherë Gurrën e Pagëzimit.

15/07/2017 14:47