2017-07-14 00:30:00

Shenjtorët e javës më 16 - 23 korrik


E diel, korrik, Kisha katolike kremton të Dielën e 15-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 16 korrik, kremtohet edhe festa e Zojës së Karmelit, që tradita e Kishës në Shqipëri e njeh me emrin Zoja Karmë. Përkujtohet edhe Shën Maria Madalena Postel, virgjër, themeluese e motrave të shkollave të krishtera të mëshirës. Liturgjia e festës na kujton se Jezusi është në qendër të gjithçkaje dhe na kërkon ta vëmë mbi gjithçka: mbi prindërit, mbi bijtë e edhe mbi jetën tonë. Vetëm kështu nxënësi bëhet i denjë për Jezusin. Është një kërkesë që s’të lë në paqe, sepse i ngjet shpatës, që pret çdo lidhje.

Të hënën  më 17 korrik, kalendari përkujton edhe Shën Marçelinën, virgjër, motër e Shën Ambrozit, ipeshkëv; Shën Aleksin e Shën Leonin IV, papë.
Liturgjia na kujton se bashkimi i pakushtëzuar me Jezusin është kushti që duhet përmbushur për t’u shëlbuar. Fati i amshuar i secilit nga ne, lidhet me qëndrimin që mbajmë ndaj Zotit. Krishti na thotë edhe neve “Mjerë ti!”, kur e presim me indiferencë e nuk duam ta kuptojmë se pa Të nuk mund të kemi jetë.

Të martën më 18 korrik, kalendari do të përkujtojë shën Emilianin martir; shën Brunon e Senjit, ipeshkëv dhe shën Federiku. Liturgjia na kujton se mënyra si sillet Jezusi, e bën t’i ngjasë gjithnjë më shumë shërbëtorit të Hyjit, kumtuar nga Izaia profet: me butësinë e tij i ndihmon njerëzit në mjerimet e tyre fizike e shpirtërore, në sa tashmë kanë nisur të komplotojnë kundër tij.

Të mërkurën më 19 korrik, kalendari shënon përkujtimin e shën Simakut, papë. Liturgjia na kujton se Zoti nuk e then kurrë besën e dhënë. Ka premtuar ta shpëtojë njeriun e lodhur e të shtypur dhe e mban premtimin, duke i dërguar Birin e vet, Jezusin. Por paradoksalisht, në sa na shpëton nga barra e mundimeve tona, kërkon të marrim mbi shpinë zgjedhën e tij, kryqin e tij, e ta ndjekim pas, duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë e të përvujtë, si na mëson Ai.

Të enjten më 20 korrik, kalendari kishtar do të përkujtojë shën Apolinarin, ipeshkëv i Ravenës e martir, shën Elinë profet e të shën Aurelin e Kartagjenës. Liturgjia na kujton se nëse e kalojmë jetën duke besuar Zotin, në Të do të gjetëjmë lirinë e plotë të shpirtit. Shën Elia është pajtor i Berdicës e i Reçit, fshatra pranë Shkodrës, dhe në Krythë afër Ulqinit.

Të premten më 21 korrik, kalendari përkujton shën Lorencin nga Brindizi, meshtar kaupuçin doktor i Kishës, shën Prasedian-en romake e shën Ezekielin profet. Liturgjia na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh gjithçka

Të shtunën më 22 korrik, kalendar përkujton shën Maria Madalenë.Liturgjia na kujton se Zoti nuk e then kurrë besën e dhënë. Ka premtuar ta shpëtojë njeriun e lodhur e të shtypur dhe e mban premtimin, duke i dërguar Birin e vet, Jezusin. Por paradoksalisht, në sa na shpëton nga barra e mundimeve tona, kërkon të marrim mbi shpinë tonë zgjedhën e tij, kryqin e tij, e ta ndjekim pas, duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë e të përvujtë, si na mëson Ai.

Të dielën që vjen më 23 korrik, Kisha do të kremtojë të dielën e 16-të gjatë vitit, e gjithnjë më 23 korrik, bie përkujtimi i së shën Brigjidës, rregulltare, Pajtore e Evropës. Liturgjia na kujton se Jezusi u fton të gjithë të krishterëve të cilët duhet t’i shërbejnë mbarë tokës, duke u bërë për të kripë e dritë për njerëzimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.