2017-07-14 00:00:00

Papa Françesku: “Dhurimi i jetës”, udhë e re për lumnimin


Siç kemi njoftuar, të martën e kaluar,  u botua Letra Apostolike në formë Motu Proprio “Maiorem hac dilectionem”. Me të, Papa Françesku merr vendimin, sipas të cilit “dhurimi i jetës është një fakt i ri i rrugës së procesit kanonik të lumnimit dhe të shenjtërimit, që dallohet dhe i shtohet  fakteve mbi martirizmin dhe virtytet heroike”. Imzot Enrico Covolo, rektor i Universitetit Papnor Lateranens, drejtoi, më 2 qershor 2016, Kongresin e posaçëm të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kushtuar pikërisht “dhurimit të jetës për Krishtin”. E intervistuam:

Mesazhi kryesor është ky: “dhurimi i jetës është fakt i ri i rrugës të lumnimit dhe të shenjtërimit, që dallohet nga faktet tradicionale mbi martirizmin dhe virtytet heroike”. Problemi që shtrohet menjëherë për zgjidhje, është: si duhet të jetë ky dhurim jete, që të ketë vlerën e duhur për lumnimin e një Shërbëtori të Zotit…

 Cilat janë kriteret kryesore?

 Kriteret që përmend Papa janë pesë: i pari dhe i dyti më duken më të rëndësishmet. Duhet të bëhet fjalë për një dhurim të lirë e vullnetar të jetës si dhe për pranimin  propter caritatem - duhet nënvizuar kjo - për dashuri të krishterë, për dashuri të Zotit  e të afërmit, duke pranuar lirisht e vullnetarisht vdekjen e sigurt e të parakohshme. E duhet të ketë edhe një lidhje - ky është kriteri i dytë - ndërmjet dhurimit të jetës dhe vdekjes së parakohshme.

Në rastin e dhurimit të jetës, kërkohet edhe mrekullia,  si për lumnimin, ashtu edhe për shenjtërimin. Një e re, kjo, që modifikon rregullat, në vijim prej shekujsh. Mbetet e nevojshme që, në këto raste, të vërtetohet ushtrimi, të pakën në mënyrë të zakonshme, i virtyteve të krishtera, para dhurimit të jetës. E edhe mrekullia, pas vdekjes…

 Pikërisht. Eshtë e nevojshme mrekullia, si për lumnimin, ashtu edhe për shenjtërimin e, natyrisht, mrekullia duhet të ketë ndodhur pas vdekjes së Shërbëtorit të Zotit, përmes ndërmjetësimit të tij, i cili duhet dëshmuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.