2017-07-14 17:09:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 15-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Ungjilli i kësaj së diele, të 15-të gjatë vitit kishtar, përmes shëmbëlltyrës ungjillore të mbjellësit që mbjellë farën, e cila herë bie në gurë a zallinë, herë bie pranë udhës, herë bie  në ferra dhe herë tjetër bie në tokë të mirë, në njërën anë, na ndihmon ta kuptojmë forcën e Fjalës së Zotit dhe, në anën tjetër, kushtet e domosdoshme që duhet t’i plotësojmë për ta pranuar e mishëruar Fjalën e Hyjit në jetën e përditshme. Frytet që vijnë nga fara e mbjellë e Fjalës Hyjnore, garantohen nga Zoti, nuk varen nga fara apo nga mbjellësi që e mbjellë farën, por nga cilësia e terrenit, do të thotë nga ne. Jezusi na fton të kemi besim në Fjalën e Hyjit, që sjell gjithmonë frytet e veta, si shiu që nuk kthehet në qiell pa pas lagur më parë tokën.

Pra, Zoti mbjell. Në mbarim edhe zemrat më të ngurrëta, më të mbyllura do të hapen para dashurisë së Tij të pakufishme. Fara është Fjala e Zotit; njeriu që e dëgjon dhe e kupton, jep fryte. Prandaj, Fjala e Zotit e mbjellë në zemrën tonë njerëzore do të japë fryte në atë masë që çdo njeri prej nesh bëhet terren a tokë e pëlleshme që e pranon dhe kështu e krijon mundësinë për të dhënë fryte të begatshme.

Me shëmbëlltyrën e mbjellësit, Jezusi në Ungjillin e Mateu (13, 1-23) e nis fjalimin e tij përmes shëmbëlltyrave ( që zënë kreun 13) për të shpjeguar natyrën e Mbretërisë së Hyjit: mbjellësi, egjra, kokrra senapit, tharmi, thesari, perla dhe rrjeti peshkimit. Të gjithë simbole të Mbretërisë. E vërtet thotë Jezusi: mbretëria e qiejve është e ngjashme me.....

Fragmenti ungjillor i kësaj së diele, shëmbëlltyra e mbjellësit, është fjalimi i tretë që na paraqet ungjilltar, e përbën njërin prej pesë fjalimeve të mëdha që i kushtohen Mbretërisë së Zotit. Shëmbëlltyra e mbjellësit që lexojmë këtë të diele është kaq me rëndësi të madhe për udhën dhe ecjen shpirtërore të besimtarit të krishterë, sa që vetë Jezusi e komenton për dishepujt e tij. Mbjellësi është Ati Hyjnor, fara është fjala e Zotit, e  njerëzit janë terreni. Prandaj kushdo e gjen dhe e prano atë, e fiton jetën e pasosur.

Jezusi na fton të kemi besim në forcën e Fjalës që Hyji  mbjell në historinë e njerëzimit, e cila, edhe kundrejt refuzimeve, sjell gjithmonë frytet e veta, që janë drejtësia, paqja dhe shpresa.

                                                 Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë   Is 55, 10-11

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “Sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e drejtova.” Fjala e Zotit.

Psalmi  65

Ref: Vizitoje tokën tënde, o Zot, dhe bekoji të mbjellat në të

———————————————–

Ti kujdesesh për tokën dhe e ujit,

e ngarkon me prodhime të begatshme.

Lumi i Hyjit është plot me ujë:

ti bën të rriten drithëra për njerëz!

———————————————–

Tokën ti kështu e përgatit:

hullitë ia lag, bucat ia imtëson,

me shi e zbrun, të mbjellat ia bekon.

———————————————–

E kurorëzon vitin me mirësinë tënde,

gjurmëve të tua rrjedh begatia,

kullotat e shkretëtirës rrijnë njomësi,

mballesat bregoreve ngjeshen me hare.

———————————————–

Livadhet janë të veshura me dhen,

luginat mbulohen me drithëra:

gjithkah këngë e brohoritje me hare!

———————————————–

 

Leximi i dytë    Rom 8, 18-23

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, në të vërtetë, unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne. E njëmend, edhe vetë krijesa me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit: krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë – jo pse do, por për arsye të atij që e nënshtroi – porse njëmend në shpresë. Sepse edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit. Sepse e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. Dhe jo vetëm ajo! Por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin – shpërblimin e trupit tonë.  Fjala e Zotit.

Aleluja.

Fara është fjala e Zotit, mbjellësi është Krishti:

kushdo e gjenë atë e ka jetën e pasosur.

Aleluja

Ungjilli   Mt 13, 1-23

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hypi në barkë dhe u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg. U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra. Kështu u tha: “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. Disa tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. Kurse disa tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish. Kush ka veshë, le të dëgjojë!”.  Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Pse po u flet me shëmbëlltyra?” Ai u përgjigji: “Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë: ‘Mirë do të dëgjoni, por s’do të kuptoni; mirë do të shikoni, por nuk do të shihni. Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja, u bë i rëndë ndër veshë, sytë i janë mbyllur, që të mos shohë me sy, të mos dëgjojë me veshë, që të mos kuptojë shpirti i tyre e të mos kthehen. E unë i kisha shëruar!’ Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! Përnjëmend po ju them: shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.  Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll pranë udhës. E i mbolli në zallinë, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete, pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. E i mbolli në ferra, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbet pa fryt. E i mbolli në tokë të mirë është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton, dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.”Fjala e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.