Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Kartela mbi portën e Papës: “Ndalohen ankimet”

Kartela me mbishkrimin: "Ndalohen ankimet" - ANSA

14/07/2017 18:19

Papa Françesku po i kalon pushimet në shtëpi, pa e humbur kurrë humorin e mirë, duke iu përgjigjur kështu disa prapaskenave gazetareske, që e përshkruajnë të trishtuar, sepse të rrethuar nga kundërshtarë të brendshëm. Prej disa ditësh mbi portën e apartamentit të tij të vogël, në Shën Martë, është dukur një kartelë domethënëse, në të cilën shkruhet: “Ndalohen ankimet”. Më pas nënvizohet se kush e shkel këtë këshillë, ndëshkohet, sepse është njeri që i pëlqen të hiqet si viktimë, gjë që të prish humorin e të pakëson aftësinë për t’i zgjidhur problemet. Masat ndëshkimore dyfishohen, kur ankimet bëhen në praninë e fëmijëve. Shënimi përfundon me fjalët: “Për të vënë në jetë ç’ke më të mirë, duhet të përqendrohesh mbi mundësitë tuaja e jo mbi kufizimet. Prej këndej, jepi fund ankimeve e vepro, për ta bërë sa më të  mirë jetën tënde” .

Të parët, që e vunë re kartelën me këtë  shënim, ishin njerëzit të cilët u takuan kohët fundit me Françeskun në Shën Martë. Ndërmjet tyre, një meshtar, mik i vjetër i Papës i cili, pasi kërkoi leje, e fotografoi dhe e përhapi. Ia tregoi vetë Françesku, për të qeshur paksa, në përfundim të takimit.

Kartela është shpikje e psikologut dhe psikoterapeutit me emrin biblik Salvo Noè, autor i shumë librave, ndër të cilët i kushton disa faqe edhe Bergoglios. Ai ia dhuroi Papës, pasi e takoi më 14 qershor, në audiencën e përgjithshme. Papa e mori e, si e falënderoi, i tha: “Do ta var në portën e zyrës së pritjes”. Duhet kujtuar se “zyra” e Papës, ku  bëhen zakonisht takimet, është në Pallatin Apostolik, thjeshtësia dhe bukuria e të cilit sigurisht nuk do të përkonin aq me këtë ndalesë të fortë ironike. Prandaj Françesku vendosi ta varë mbi portën e apartamentit në Shën Martë. Në shumë raste, autori i “Evangelii gaudium” (Gëzimi i Ungjillit) i ka ftuar të krishterët të mos rrinë gjithnjë duke u ankuar. Ankimi ta rrudh fytyrën. Prej këndej, pak pas zgjedhjes pati vërejtur se fytyrat e zymta të disa të krishterëve duken më shumë si speca turshi, sesa si fytyra njerëzish, që kalojnë një jetë të gëzuar.   

 E tani të gjithë ata, që kalojnë para asaj porte, lexojnë: “Ndalohen ankimet”. Ndërsa pas portës, ku varet kartela, Papa i kalon pushimet më shumë duke punuar. Përgatitet për një mori veprimtarish, që e presin pa hyrë ende mirë vjeshta, ndërmjet të cilave, shtegtimi në Kolumbi. Punon, pra, por “pa u ankuar”. Sa mirë do të ishte të ndaloheshin kudo ankimet, të paktën gjatë pushimeve të verës!

14/07/2017 18:19