Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa Françesku: mungesë përgjegjësie të ndotësh ambientin, qeveritë të reagojnë

Takimi mbi enciklikën "Lëvduar qofsh" - RV

14/07/2017 15:20

Respekt, përgjegjësi, marrëdhënie. Këto, tri temat e nënvizuara nga Papa Françesku në një mesazh, drejtuar takimit “Lëvduar qofsh’ dhe qytetet e mëdha”, hapur dje nga kardinali Turkson, prefekt i Dikasterit për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, që vijon në Rio de Janeiro. Në dokument, Papa u bën përsëri thirrje qeverive të kujdesen për ambientin e të mos rrinë duarkryq  përballë ndotjes së ujit dhe të ajrit.

Respektimi i krijimit është një nga “detyrat tona themelore”. E nënvizon fort Papa Françesku në Mesazhin e tij e, duke rikujtuar pikërisht Enciklikën “Lëvduar qofsh”, së cilës i kushtohet takimi i Rio de Janeiros, nënvizon se nuk mund të rrimë duarkryq, kur shikojmë prishjen e cilësisë së ajrit dhe shtimin e mbeturinave të keqtrajtuara. Këto situata - vëren Papa - janë pasojë e një forme të papërgjegjshme të manipulimit të krijimit dhe kërkojnë përgjegjësi aktive nga ana e të gjithëve. Për fat të keq - vijon Françesku - vërejmë një farë indiference ndaj shtëpisë sonë të përbashkët. Ky pasivitet - lexohet në mesazh - flet vetë për humbjen e kuptimit të përgjegjësisë, e atëherë është urgjente që çdo qeveri të gjejë mënyra plot përgjegjësi veprimi për të respektuar ambientin, në të cilin jetojmë të gjithë.

Papa, duke theksuar në mesazh tri pika - “respekt, përgjegjësi e marrëdhënie”  vë në dukje edhe se respektimi i ambientit është detyrë ndaj breznive të ardhshme. Këtë kujdes duhet t’ua mësojmë të tjerëve e ta transmetojmë brez pas brezi - kujton Françesku – e në vijim vë theksin mbi rëndësinë e ujit,  që duhet parë si e drejtë themelore për të gjithë. E nuk harron të kujtojë edhe rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve, të cilat, në qytetet e mëdha, bëhen gjithnjë të vështira. Nganjëherë shoqëria mbyllet në vetvete, jetohet me mosbesim, mungojnë rrënjët e prodhohet një izolim, që ka si pasojë varfërinë. Ja pra pse, - bën thirrje Papa - është e nevojshme përpjekja e përbashkët në nivel politik, edukativ e fetar për krijimin e marrëdhënieve njerëzore, që të shemben muret e ngritura ndërmjet njerëzve.       

14/07/2017 15:20