Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Rusi: Moskë, më se një milion e gjysëm shetgtarë pranë relikeve të Shën Kollit. Që më 13 qershor, në Pjetërburg.

Shën Kolli në Moskë - EPA

13/07/2017 17:20

Të hënën e kaluar, më 10 korrik, kanali zyrtar i ekspozimit të relikeve të Shën Kollit, në Moskë, lajmëronte se shtegtarët do të mund të vijonin ta vizitonin Shenjtin mrekullibërës nëntë orë e gjysëm rresht. Numri i përgjithshëm i shtegtarëve, që deri në atë çast ishte lutur pranë relikeve, kishte arritur në 1. 687. 500. Më 9 korrik shtegtarët arritën në 53 mijë vetë. Numri i madh i shtegtarëve ditët e fundit i detyroi organizatorët ta mbyllnin radhën  në orën 16.30, në mënyrë që të fundmit në radhë të gjunjëzoheshin para urnës në kohën e duhur, për të mundur, pastaj, të riktheheshin në shtëpitë tyre me trenin e fundit të metropolitanës. Reliket vijuan të nderohen në Moskë deri të mërkurën, 12 korrik.

Të enjten u zhvendosën në Pjetërburg, në Bazilikën e të Shenjtnueshmes Trini të manastirit Aleksandër Nevskij, ku nisën të vizitohen nga ora 16.00 e 13 korrikut, vizitë, kjo, që do të përfundojë më datën 28 të muajit, çdo ditë, nga ora 07.00 deri në orën 22.00. Një kremtim solemn përshëndetjeje e përcolli urnën në vijim të shtegtimit nga Moska - në Pjetërburg. Edhe këtu më se 500 vullnetarë po garantojnë çdo ditë asistencën e shtegtarëve e po shpërndajnë ujë e ushqim. Vetëm invalidët kanë të drejtë të hyjnë pa radhë, mjafton të paraqesin çertifikatën e invaliditetit. E po ashtu edhe fëmijët nën dy vjeç, shoqëruar nga prindërit.

Shtegtarët këshillohen të përgatiten për lutjen e nderimin përballë urnës, në mënyrë që vizita të kryhet në kohën e duhur, për t’u lënë radhën të tjerëve, që vijnë pas.

Kujtojmë se reliket e Shenjtit arritën nga Bari, në Moskë më 18 majin e kaluar. Është hera e parë, pas 930 vjetësh, që reliket e Shën Kollit nisin një shtegtimin kaq të gjatë, nga qyteti i Barit, për në Moskë, e pastaj, në Shën Pjetërburg. U pritën nga Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kirill, për t’u zhvendosur, më pas, në Bazilikën moskovite të Shën Shëlbuesit, ku u kremtua një liturgji, kryesuar nga vetë Patriku.

13/07/2017 17:20