Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa Françesku: Evropa të rizbulojë trashëgiminë. Kard. Bagnasco: BE ta dëgjojë!

Papa Françesku ne parlamentin Evropian - EPA

13/07/2017 17:14

“Evropa ka një trashëgimi ideale shpirtërore të pashembullt në botë, që meriton të ripropozohet me pasion e të përtërihet me freski. Ky, tweeti i botuar nga Papa Françesku në faqen e tij të internetit @Pontifex, në ditën e festës së Shën Benediktit, Pajtorit të Evropës. E pikërisht këto fjalë të Papës i komenton për ne, kardinali Angelo Bagnasco, kryetar i CCEE, Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës.

Fjalët e Atit të Shenjtë kanë rëndësi shumë të madhe, posaçërisht në këto çaste, duke pasur parasysh vështirësitë që po kalon Evropa, të cilat i shikon gjithkush. Fjalët e Françeskut jehojnë si thirrje e madhe, si inkurajim i madh për udhën evropiane. Duhet - e këtë edhe e shpresojmë - të hyjnë në mendjet e të prekin zemrat e drejtuesve kryesorë, natyrisht që, mbi të gjitha, ta kuptojnë personalisht  trashëgiminë e madhe, që është Kontinenti Evropian në tërësinë e tij e, prej këndej, edhe bashkimin, udhën e Bashkimit Evropian. Nganjëherë të krijohet përshtypja se kjo vetëdije  nuk është e ndritshme e as e qartë  ndër zemra, ashtu siç ishte në zemrat e themeluesve. Por pa këtë vetëdije, pa këtë bindje, gjithçka bëhet gjithnjë më e vështirë.

Papa flet për ripropozimin e trashëgimisë së Evropës “me freski të re”. Sot Evropa duket pakëz e lodhur, e fishkur ndoshta, e ndoshta – pikërisht – pak e vetëdijshme se është vërtetë unike, e pashoqe në botë.

Sigurisht, kur humbet identiteti i zanafillës, pastaj, nuk dihet më kush je. Atëhere entuziazmi shuhet, nis habija, shqetësimi. Nisin pyetjet: për ku duhet të nisemi e çfarë duhet të bëjmë. Eshtë natyra e sendeve: vlen edhe për Evropën, në tërësinë e saj, vlen për një shtet e edhe për një njeri të vetëm. Prej këndej, çështja e origjinës sonë të krishterë nuk është akademike ose, edhe më keq akoma, fryt i lidhjes së tepruar me vendin tënd. Është fjala për t’i dhënë përgjigje pyetjes kush jemi, çfarë është Evropa në origjinën e  saj, në thirrjen e misionin, që Papa ripohon se është universal. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Ndërmjet thirrjeve të shumta të Evropës, është sigurisht, thirrja e mikpritjes. E edhe kjo me shumë pikëpyetje. Mjafton të mendojmë për debatin dhe mbylljen e portave nën hundën e emigrantëve. Edhe mikpritja, pra po kalon çaste të vështira…

Po, sepse kur nis frika, që lind nga humbja e idealeve dhe e identitetit, kjo frikë të këshillon të gërmosh llogore, të mbyllesh, të rrethohesh me perde, në vend që të hapësh dialogun, sepse që ta hapësh këtë dialog, duhet të kesh me të vërtetë diçka për të thënë, pa rrahur ujë në havan e pa përdorur fraza të gatshme, të përsëritura njëmijë herë, që në fund të fundit nuk thonë gjë prej gjëje, sepse pa kurrfarë substance. Duhet ta dish kush je! Prej këndej, diskutimi identitar nuk është aspak në kundërshtim e as nuk i kundërvihet dialogut, përkundrazi, është parakushti i tij i nevojshëm.

13/07/2017 17:14