Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Bota shqiptare

Nënë Panella rizgjidhet eprore e Misionareve të Kraharorit të Shenjtë, të pranishme në Shqipëri

Gjimnazi i jezuitëve "Pjetër Meshkalla"

13/07/2017 17:34

U rizgjodh, këto ditë, edhe për gjashtë vjet të tjera,  Eprorja e përgjithshme e Kongregatës së Motrave Misionare të Kraharorit të Shenjtë e të Zojës së Dhimbshme. Është Nënë Gabriella Panella. Do t’u prijë motrave në rrugën  e kumtimit dhe të dëshmimit me gëzim të urdhërit të dashurisë, në përpjekjen për t’i mjekuar plagët e njerëzimit të sotëm.

Motrat e Kraharorit të Shenjtë janë të pranishme në Shqipëri që nga viti  1991. Arritën pa rënë ende mirë komunizmi, të kryesuara nga motra Vitalba Motolese, eprorja e tyre provinciale, duke iu përgjigjur nismës së Etërve Jezuitë. Tre vjetët e para, 1991-1993, organizuan kampet verore  për zhvillimin civil, shoqëror e fetar të shqiptarëve, duke shkelur në fshatrat më nevojtare në Shkodër e në Durrës.

Bashkësia e parë e motrave në Shqipëri përbëhej nga Vitalba Motolese, kujtimi i së cilës do të mbetet i pashlyeshem në kujtesën e popullit, kudo shkeli; motra Mikelina Robertino, motra Miriam Nacucchi dhe motra Lilian Romano. U vendosën fillimisht në një shtëpi private, me synimin që të hapnin një shkollë. Ndërtesën ia ofruan Etërit Jezuitë, aty ku dikur kishin pasur jetimoren, pronë që iu rikthye nga shteti. Motrat nisën menjëherë punën për ta restauruar ndërtesën e, duke filluar nga viti 1997-98, hapën kopshtin e fëmijëve dhe shkollën fillore, kushtuar “Zemrës së Krishtit”. Njëkohësisht u morën me baritorinë famullitare në Shenjtëroren e Zemrës së Krishtit, ngritur nga jezuitët në fshatin Guri i Zi.

Me kalimin e viteve, shkolla e motrave u zgjërua e sot është një nga shkollat më të mira nëntëvjeçare të vendit. Përgatit nxënës, një pjesë e mirë e të cilëve vijojnë, pastaj, Shkollën e Mesme  “Atë Pjetër Meshkalla” të jezuitëve në Shkodër e, më tej akoma, duke studiuar në të katër anët e botës, e nderojnë kudo këtë shkollë, ku mësuan të shkruajnë gërmat e para të alfabetit.

Sot motrat vijojnë të jenë shumë aktive në katekizëm, në fshatrat rreth Shkodrës. Kohët e fundit morën mbi vete përgjegjësinë për shkollën fillore të fshatit Rranzat e Bushatit.

13/07/2017 17:34