Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Lind, në Farnesina, Vëzhguesi për lirinë fetare

Imzot Gallagher dhe ministri Alfano - ANSA

13/07/2017 16:32

Në Ministrinë e Jashtme italiane lindi një Vëzhgues për pakicat fetare në Botë. Përmes rrjetit diplomatik duhen “shënuar rastet më domethënëse dhe të  bëhen të njohura situatat më kritike në të cilat ndodhen këto pakica”.

Ka ende shumë njerëz, në çdo kontinent, që hasin vështirësi në praktikimin publik të fesë së tyre. Mjafton të kujtojmë se në 23 vende regjistrohen shkelje të rënda të kësaj së drejte. Ndërsa liria për t’u lutur duhet të ishte e drejtë e natyrshme, që i paraprin lindjes së shteteve, organizimit të shoqërisë dhe së drejtës pozitive. E kur kjo liri mohohet e nuk respektohet, lindin tensione, konflikte e mizori  – pohoi Ministri i jashtëm italian, Angelino Alfano.

Ministri nënvizoi edhe se “Duhen kapërcyer iluzionet optike që, kur flitet për të krishterë në katakombe, na krijojnë përshtypjen se po flitet për ngjarje të ndodhura shumë  shekuj më parë. Jo! Të krishterë, që e jetojnë fenë në katakombe ka edhe në ditët tona. E tepër shpesh ndeshemi me lajme, ardhur nga vendet e Afrikës e të Lindjes së Mesme, që flasin për sulme kundër kishave, kundër besimtarëve të pambrojtur, të mbledhur për t’u lutur”.

Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet i Selisë Shenjtë, imzot Paul Gallagher, shtoi se në territoret e shkëputura nga Shteti i vetëshpallur Islamik “edhe para barbarive të Isisit, të krishterët dhe pakicat e tjera  ndjeheshin shtetas të klasës të dytë. Prania ushtarake për të mundur armikun,  nuk është garanci  - theksoi - ideologjia e djallit do të mundet, por për ta bërë këtë, duhet t’i shumëfishojmë përpjekjet tona për t’iu kundërvënë kësaj ideologjie.

Në të vërtertë - shtoi imzot Gallagher - që nga vjeshta e kaluar, shumica e pjesëve të territoreve të pushtuara në veriun e Irakut nga Shteti islamik, u liruan, duke përfshirë edhe fshatrat e krishtera të Rrafshit të Ninives. Por, për fat të keq,  pavarësisht nga dëshira për t’u rikthyer në shtëpitë e tyre, vetëm pak të krishterë dhe grupe të tjera qenë në gjendje ta bëjnë këtë. Shtëpitë e shkollat janë ende gërmadhë. Megjithëse këto territore u çliruan nga armiku, mbetet ende shumë për të bërë për t’i ndihmuar të krishterët dhe pakicat tjera për t’u rikthyer të sigurt në shtëpitë e tyre.

Vëzhguesi do të ketë, në një farë mënyre, edhe detyrën t’i edukojë të rinjtë me vlerën e tolerancës, vlerë themelore, nëse duam t’i shmangim luftërat  e reja. Për ministrin Alfano “çdo njeri duhet të ketë të drejtën të shprehë lirisht besojmën e vet, e jo vetëm përmes kultit, por edhe përmes pjesëmarrjes në jetën e përbashkët. Ky është një mesazh tjetër themelor, që duhet të përpiqemi t’ua transmetojmë të rinjve: e këtë duhet ta bëjmë duke investuar më shumë në fushën e arsimit e të kulturës, “sepse shkolla, më shumë se çdo veprimtari tjetër, e gris velin e hipokrizive e na mëson të ndjekim një besojmë, që është besojma e tolerancës”.

Vëzhguesin do ta udhëheqë Salvatore Martinez, kryetar i lëvizjes kishtare Përtëritja e Shpirtit, që nënvizoi: “Nuk do të përballohet kurrë aq sa duhet, tema e lirisë fetare, derisa të mos ketë zhvillim të gjithanshëm njerëzor e derisa të mos mbrohen plotësisht edhe të drejtat e njeriut. Nuk mund të ketë mbrojtje të lirisë fetare, pa mbrojtje të gjithanshme e transhendente të njeriut. E ky është kriter i laicitetit, që nuk ka të bëjë vetëm me të rinjtë, por edhe me familjet  e me të gjithë ata, që e kanë për zemër të mirën e përbashkët”. 

13/07/2017 16:32