2017-07-13 15:26:00

Komisioni përzier kroato katolik e serbo ortodoks mbi kardinalin Stepinac


Janë mbledhur këto dy ditë, pranë Domus Sanctae Marthae, në Vatikan, në mbledhjen e tyre të gjashtë dhe të fundit, nën drejtimin e atë Bernard Ardura, president i Komitetit Papnor të Shkencave Historike, anëtarët e Komisionit të përzier të ekspertëve kroatë katolikë dhe serbë ortodoksë për rileximin e përbashkët të figurës së kardinalit Alojzije Stepinas, kryeipeshkëv i Zagrebit.

Për Konferencën ipeshkëvnore kroate të pranishëm: kard. Josip Bozanic, kryeipeshkëv i Zagrebit, imzot Antun Skvorcevic, ipeshkëv i Pozhegës, imzot Ratko Peric, ipeshkëv i Mostra-Duvno, dr. Jure Kristo e dr. Mario Jareb, nga Instituti Kroat i Historisë.

Për Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse serbe të pranishëm: Amfilohije, Metropolit i Malit të Zi, Porfirije, Metropolit i Zagrebit e Lubjanës, Irinej, ipeshkëv i Novi Sadit e Baçkës, Jovan, ipeshkëv i Pakrac-it e Sllavonisë, e Prof. Dr. Darko Tanashkoviç, përfaqësues i Serbisë pranë Unesko-s.

Të pranishmit e vlerësuan bujarinë e Papës Françesku, i cili e priti me mirësi kërkesën e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, e vendosi themelimin e Komisionit në fjalë. Të gjithë anëtarët janë mirënjohës për atmosferën e përzemërt, në kuadrin e së cilës, me liri të plotë të fjalës, kanë pasur mundësinë ta kryejnë  mandatin që i është besuar nga Komisioni, do të thotë të procedojnë në rishqyrtimin dhe rileximin e përbashkët të jetës së kardinalit Stepinac. Kanë qenë të ndërgjegjshëm, qysh në fillim të punimeve, se procesi kanonik kishtar i kanonizimit të kardinalit Stepinac është kompetencë ekskluzive e Papës. Po kështu pranojnë se sot Kisha katolike i ka kriteret e veta për të proceduar për çështjen e kanonizimit.

Anëtarët e Komisionit kanë pranuar se puna e tyre u ka mundësuar një njohje më të mirë të historisë së viteve ndërmjet luftës së Parë botërore e vitit 1960, vit i vdekjes së kardinalit Stepinac. Pastaj u ka mundësuar edhe ilustrimin e jetës dhe të shërbimit (misionit) të një Bariu të rëndësishëm katolik, në një periudhë posaçërisht të ndërlikuar e të trazuar të historisë. U arrit në përfundimin se ngjarjet e ndryshme, ndërhyrjet, shkrimet, heshtjet dhe qëndrimet e kardinalit Stepinac janë akoma objekt i interpretimeve të ndryshme. Në rastin e kardinalit Stepinac, interpretimet dhënë respektivisht nga kroatët katolikë e nga serbët orotodoksë mbesim akoma larg njëra-tjetrës, do të thotë janë divergjente.








All the contents on this site are copyrighted ©.