2017-07-13 13:55:00

Ipeshkvijtë e Venezuelës: regjimi po përdor shtypjen çnjerëzore


Ipeshkvijtë e Venezuelës bënë dje një thirrje të re, në përfundim të mbledhjes së tyre plenare, mbajtur në Karakas, ndërsa në vend rëndohet gjithnjë më shumë kriza politike, institucionale dhe ekonomike, me njëqind të vdekur gjatë ndeshjeve në shesh, që nga prilli i kaluar. Prelatët botuan një dokument, titulluar: “Mesazh urgjent katolikëve dhe njerëzve vullnetmirë në Venezuelë”.

Ky i ipeshkvijve të Venezuelës është sulm i rreptë kundër qeverisë aktuale: denoncon shtypjen çnjerëzore të manifestimeve të qytetarëve, të cilët kërkojnë vetëm që të respektohet demokracia. Kujtohen burgosjet e proceset arbitare kundër atyre, që i kundërvihen qeverisë, torturat, shkelja e të drejtave të njeriut nga ana e atoriteteve, veprimet e dhunshme të grupeve paraushtarake ilegale, përkrahëse të qeverisë.

Ipeshkvijtë ripohojnë “jo”-në e tyre kundër Asamblesë kushtetuese, organizuar nga qeveria: e kjo, sepse refuzohet nga populli dhe synon të imponojë regjimin dikatorial, duke krijuar në vend një shtet socialist marksist ushtarak, me zhdukjen e autonomisë së pushteteve dhe të organeve aktuale të shtetit, posaçërisht, të Asamblesë Kombëtare, zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Prelatët mbështesin fuqimisht referendumin popullor të së dielës, 16 korrik, organizuar nga Asambleja kombëtare për t’i thënë “po” ose “jo” kushtetueses.

Kushetuta - pohon mesazhi - është shkelur e Gjykata e lartë e drejtësisë si dhe Këshilli kombëtar elektoral po bëjnë atë, që u thotë ekzekutivi, pa i llogaritur fare parimet themelore të demokracisë, që kërkojnë pjesëmarrjen e gjithë popullit në zgjidhjen e problemeve themelore të vendit. Forcave të armatosura u kërkohet t’i shërbejnë popullit, jo regjimit.

Së fundi, ipeshkvijtë  kërkojnë hapjen e një kanali me karakter humanitar, që të mund të hyjnë në vend ilaçe e ushqime, të cilat prej muajsh mungojnë në gjithë vendin.








All the contents on this site are copyrighted ©.