2017-07-13 16:50:00

Histori: kisha katolike e ish-Gjermanisë Lindore kremton 30-vjetorin e takimit të Dresdenit


U kremtua këto ditë, në Dresden dhe në të gjitha dioqezat e ish-Gjermanisë Lindore (Ddr), 30 vjetori i takimit historik, i pari zyrtar e publik, i katolikëve gjermanë, që jetonin nën regjimin komunist, mbajtur më 10 deri më 12 korrik 1987. Të ishe katolik në RDGJ ishte rrezik. Besimtarët diskriminoheshin, nuk lejoheshin të studionin lëndë fetare, nuk mund ta zgjidhnin lirisht profesionin e ishin pothuajse të izoluar në shoqëri. Të ndaluara, edhe takimet publike me pjesëmarrje të madhe.

Ky kuadër nisi të ndryshonte me fillimin e krizës së regjimeve komuniste, në gjysmën e dytë të viteve ’80. Pikërisht në këtë atmosferë, në Dresden lanë takim njëqind mijë vetë, ardhur nga të katër anët e Gjermanisë  Demokratike. Konferenca e ipeshkvijve, që nuk qe shpartalluar, si në vendet e tjera komuniste, vendosi të mos e përdorte fare termin “katolik” në moton e takimit, që ishte: “Pushteti i Zotit, shpresa jonë”, sepse përvoja e diskriminimeve 40-vjeçare e kishte bërë Kishën e Gjermanisë Demokratike të vetëdijshme për kufijtë, që nuk duheshin kapërcyer, prej këndej, nuk vuri në dukje karakterin politik, por kryesisht atë baritor të këtij takimi, simbol i lirisë aq të dëshiruar.

E megjithatë, kjo ishte ngjarje e pashembullt - kujton imzot Klemens Ullman, Dekan i Katedrales së Dresdenit - ishte si një takim i madh i familjes, që e fuqizoi ndërgjegjen tonë.

Në takim ishte i pranishëm edhe prefekti i asokohshëm i Kongregatës  për Doktrinën e Fesë, kardinali Joseph Ratzinger, si përfaqësues i Papës Gjon Pali, të cilit iu ndalua rreptësisht pjesëmarrja.

Mesha përfundimtare, më 12 korrik 1987, u kremtua nga kryeiepeshkvi i asokohshëm i Berlinit, kardinali Joachim Meisner (që ndërroi jetë kohët e fundit). Me homelinë e tij, i ndezi flakë zemrat e besimtarëve: “Duam të ndjekim një yll tjetër – theksoi me forcë - yllin e Betlehemit!”. Kritikonte kështu, jo zyrtarisht, po gati-gati haptazi, regjimin komunist. Të gjithë e morën vesh se e kishte fjalën për yllin e kuq me pesë cepa, i cili kishte gjakosur gjysmën e rruzullit tokësor - saktëson Ullman - duke kujtuar se ylli i kuq, simbol i komunizmit, i gjithëpranishëm në jetën e përditshme të RDGJ, kishte bërë çmos ta zevendësonte Yllin e ndritshëm të Betelehemit. Pa ia arritur kurrë qëllimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.