Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa Françesku: 28 katekizma “për të vijuar udhën e shpresës”(Pjesa II)

Pilgrims and tourists queue for water from a fountain in St Peter's Square at The Vatican on July 9, 2017, as they wait for Pope Francis to deliver his Sunday Angelus prayer. - AFP

12/07/2017 10:45

E nisëm këtë udhë shprese të mërkurën e kaluar, duke ndjekur disa nga 28 katekizmat e Papës Françesku gjatë audiencave të përgjithshme të gjashtë muajve të fundit, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, ku nuk mungojnë kurrë shtegtarët e ardhur nga larg. Edhe ne po rikthehemi për herë të dytë në Shesh, nën diellin përvëlues të korrikut, për të vijuar ecjen në rrugën e shpresës, duke nisur nga audienca e 15 marsit 2017, ku mbetëm një javë më parë, deri tek ajo e fundmja, para pushimeve të verës. Duke rikujtuar se gjatë gjithë muajit korrik ndërpriten audiencat e përgjithshme të së mërkurës, se rifillojnë në muajin gusht, në Sallën Pali VI e se i vetmi takim publik mbetet Engjëlli i Tënzot i së dielës. Edhe Meshët e Papës në mëngjes, me grupet e besimtarëve, në Shën Martë, ndërpriten në korrik e në gusht, për të rifilluar nga mesi i shtatorit. 

Dashuria nuk është telenovelë. Dashuria është thirrja më e lartë, thirrje e mirëfilltë, me të cilën lidhet në mënyrë të pazgjidhshme gëzimi e shpresa e krishterë. Pa harruar se ekziston edhe hipokrizia, që mund ta bëjë strofkën kudo, edhe në mënyrën si dashurojmë - kujtoi Papa në audiencën e 15 marsit.

“Të duash seriozisht, do të thotë t’i vlerësosh gjërat e vogla, të përditshme të jetës, që nuk është telenovelë. Do të thotë të rrish larg hipokrizisë, që na pushton edhe kur bëhemi funksionarë të dashurisë së krishterë, si të ishte nën pushtetin tonë e të mund ta përdornim sipas dëshirës: dikujt t’ia jepnim e dikujt tjetër, t’ia mohonim. Po dashuria nuk mund të mohohet, sepse askush nuk mund të jetojë pa të - e kjo ishte edhe tema e katekizmit të 24 qershorit: analizë e thelluar psikologjike e krizës së vlerave në botën bashkëkohore, e jetës së njeriut, që e ndjen veten të pushtuar nga forca shpesh herë të panjohura:

“Shumë nga narcizizmat e njeriut lindin nga ndjenja e vetmisë, nga që shumëkush e ndjen veten si të ishte jetim - edhe pse në mes turmave”.

I vetmi ilaç  është përqafimi i një Ati, që i do gjithnjë, të gjithë, të mirë e të këqij. Është Ai të cilin, në lutjen  themelore të krishterë e quajmë “Abba”, Atë!   Një Atë, të cilit Shën Pali Apostull nuk vendos t’ia përkthejë në greqisht emrin, që Jezusi, në aramajkshe, e shqiptonte “abba”. Dy herë rresht Shën Pali, në letërkëmbimin e tij e prek këtë temë, e dy herë rresht e lë këtë fjalë ashtu si pati dalë nga buzët e Jezusit “abba”.

“Ne nuk jemi vetëm, kemi një Atë, që na shikon e nuk na braktis”.

Shpirti shtegtar

Të krishterët kanë shpirt shtegtar, sepse jeta e tyre është e varur në një spirancë, që është e ngulur në qiell. Kjo, metafora e zgjedhur për audiencën e 26 prillit: ne, të krishterët, jemi popull shtegtarësh, gjithnjë në ecje  e ..

“…edhe duke përshkuar trojet e botës së plagosur, ku punët nuk shkojnë aspak mirë, mbetemi ndërmjet atyre, që edhe atje vijojnë të shpresojnë”.

Kujtuam spirancën – shtoi Papa - po kësaj figure mund t’i shtojmë edhe atë të velit. Nëse është spiranca ajo, që i jep siguri varkës dhe e mban të “ankoruar” ndërmjet valëve të detit, veli e bën të lundrojë e të shkojë përpara valë mbi valë. Shpresa është vërtet si vel: e mbledh erën e Shpirtit Shenjt dhe e shndërron në forcë lëvizëse, që e shtyn varkën sipas rastit,  drejt detit të hapur ose drejt bregut:

 “Sa ka shpresë, ka edhe jetë, thotë një fjalë e urtë e popullit: e është e vërtetë edhe e kundërta: sa ka jetë, ka edhe shpresë. Njerëzit kanë nevojë për shpresë, që të jetojnë. E kanë nevojë për Shpirtin Shenjt, që të shpresojnë”.

Terapia e shpresës.

Dishepujt e Emmaus jemi ne, se pikërisht atje, në atë udhë, lindi ajo, që Papa, më 24 maj, e quajti “terapia e shpresës” . Sekreti i udhës, që të çon në Emmaus, është i tëri këtu:

“Zoti do të ecë me ne përgjithmonë, edhe në çastet më të dhimbshme, edhe në çastet më të shëmtuara, edhe në çastet e disfatës”.

Nuk jemi kurrë vetëm: shokët e tjerë të udhës sonë janë shenjtorët, engjëjt me fytyrë e me zemër njerëzore (audienca e 21 qershorit) shpesh të paemër, të fshehur ndërmjet nesh.

Arritëm, kështu, tek audienca e fundit (28 qershor) para pushimeve të verës, duke ecur, në meditim, pas Papës, në udhën e shpresës së krishterë, ku realieti është krejt ndryshe, nga sa duket e nga sa thuhet: realiteti është Kryqi!”.

Realiteti është mëkati i botës, që Zoti erdhi ta merrte mbi vete për ta çrrënjosur nga toka e burrave dhe grave:

 “Realiteti janë të pafajshmit, që vuajnë e vdesin për shkak të luftërave e të terrorizmit; janë skllavëritë, të cilat vijojnë ta mohojnë dinjitetin edhe në epokën që e quan veten ‘e të drejtave të njeriut’; realiteti është ai i kampeve të refugjatëve, që nganjëherë i ngjasin më shumë ferrit sesa purgatorit; realiteti është flakja sistematike e të gjitha sendeve, që nuk shërbejnë më, e edhe e njerëzve”.

 Por edhe në këtë realitet, ne, të krishterët, popull shtegtarësh, vijojmë udhën me guxim e me bindjen se mes nesh gjendet gjithnjë Dikush, që është më i fortë se mafiet e se intrigat e errta.

Kjo, audienca e fundit para pushimeve verore. E para, pas tyre, do të jetë ajo e  së mërkurës së parë të gushtit.

12/07/2017 10:45