2017-07-12 13:20:00

Dom Simon Jubani, protagonistë i pranverës së lirisë e të demokracisë


Si sot, më 12 korrik 2011 ndërroi jetë dom Simon Jubani, prifti që sfidoi regjimin ateist të komunizmit dhe me kremtim të Meshës së Shenjtë ndër varreza të Rrëmajit të Shkodrës, më 4 nëntor 1990, sanksionoi fundin e diktaturës komuniste në Shqipëri.

Prifti shkodran dom Simon Jubani, qe ndërgjegjja e Kishës katolike dhe e shoqërisë shqiptare pas rënies së regjimit komunist. Eshtë një nga njerëzit e meshtarët katolikë shqiptarë që ka vuajtur tërë jetën në burgjet komuniste duke qëndruar besnikërisht e heroikisht torturave të tmerrshme, të ushtruara nga regjimi komunist ndaj të gjithë atyre njerëzve e qytetarëve që nuk mohonin vlerat shpirtërore, kulturore dhe identitetin kombëtar as para dënimeve, persekutimeve e vrasjeve.

Kështu mund të pohojmë se pikërisht kremtimi i Meshës së parë, që kur regjimi komunist ateist e ndaloi lirinë fetare, ushtrimin e kremtimin e riteve liturgjike dhe mbylli Tempujt e Zotit në Shqipëri, kremtuar nga dom Simon Jubani më 4 nëntor 1990, në varreza të Rrmajit, qe shprehje e asaj fuqie shpirtërore Hyjnore e njerëzore që diktatura komuniste nuk arriti kurrë ta çrrënjoste nga zemra e nga shpirti i shqiptarëve besimtarë.

Kështu, dom Simon Jubani u bë nismëtar i rihapjes së Kishave dhe i Xhamive në Shqipëri, kur regjimi komunist ende nuk ishte rrëzuar. Kleri e Kisha katolike edhe një herë u bënë shkëndijë që ndezi e i dha hov fitores së lirisë dhe fuqi e rivendosjes së demokracisë në Shqipëri. Sot, pra, e kujtojmë ditën e kalimit në amshim të dom Simon Jubanit, njërit ndër protagonistët e pranverës së lirisë e të demokracisë së Shqipërisë, pas dimrit të egër të diktaturës komuniste.

Nga arkivi i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit, propozojmë një reflektim të dom Simon Jubani mbi fuqinë e lutjes ndër kampe të përqendrimit dhe një analizë të shoqërisë shqiptare në periudhën pas diktaturës, ta dëgjojmë......








All the contents on this site are copyrighted ©.