Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Kardinali Sandri në Ukrainë, me mesazhin e paqes të Papës Françesku

Shtegtarë ukrainas - RV

11/07/2017 12:11

Kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore ndodhet sot në Ukrainë, me ftesë të kryeipeshkvit të madh të Kyiv-Halyč, Sviatoslav Shevchuk si dhe me rastin e shtegtimit kombëtar  në Shenjtëroren mariane të Zarvanytsia. Hirësia e Tij do t’i çojë përshëndetjen dhe solidaritetin e Papës bashkësisë greko-katolike, katolikëve të ritit latin, ortodoksëve dhe të gjithë atyre, që po vuajnë pasojat e një konflikti, në vijim që prej tri vjetësh.

Ndërmjet etapave kryesore të shtegtimit, do të jenë Kievi, Kharkiv, Sloviansk, ku do të takohet me të shpërngulurit, si dhe Shenjtërorja mariane, që lartohet në metropolinë e Ternopil. Por, ta dëgjojmë vetë kardinalin Sandri, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Synon të jetë shtegtim ngushëllimi që i bën vëllai-vëllait, duke çuar një fjalë gëzimi e shprese nga ana e Papës Françesku, në një vend që vuan prej kohe për shkak të pasojave të konflikteve të viteve të fundit. Do të vizitoj kryesisht pjesën lindore, ku janë greko-katolikët, katolikët latinë e edhe ortodoksët. Të gjithë këta besimtarë formojnë, së bashku, një vend të krishterë, vend në të cilin besohet në Zotin, në Jezu Krishtin, vend që e shoqëron këtë fe me vuajtjen e Kryqit. I shikon përmes Kryqit vuajtjen, përçarjet, luftërat e edhe viktimat e kësaj situate, posaçërisht, njerëzit më të pafajshëm. Prandaj dua të çoj - e kjo është edhe detyra që më ngarkoi Papa - vajin e qetësisë, të paqes e edhe - siç thotë Ati i Shenjtë, duke u frymëzuar nga përshpirtëria e Shën Injacit të Lojolës - “aftësinë për  të shqyrtuar”, “për të dalluar”, për të menduar një ardhmëri plot me shpresë, me zgjidhjen e  të gjitha konflikteve; ardhmëri në të cilën sundojnë arsyeja  e humanizmi.

Pyetje: - Papa Françesku i ka drejtuar botës disa thirrje për paqen në Ukrainë. Ç’mund të bëhet për ta siguruar këtë paqe?

Përgjigje: - Papa, në mesazhin e sivjetëm për Ditën Botërore të Paqes, vuri theksin mbi ata, që e bëjnë paqen. Paqja nuk bie nga qielli, si parashutë, duhet të jenë në tokë njerëzit, që e ndërtojnë, që i gjejnë vëshirësitë e që sigurojnë forma mirëkuptimi, dialogu, marrëveshjeje, për t’i kapërcyer shkaqet, që mund të krijojnë luftëra e konflikte. Gjithnjë, kuptohet, duke respektuar të drejtën, të drejtën ndërkombëtare, tërësinë territoriale të të gjitha vendeve,  por me një shtesë humaniteti e dashurie.

Pyetje: - Ju do të takoni edhe popullsitë e vuajtura të zonave lindore. Ç’prisni nga këto takime?

Përgjigje: - Siç e dini edhe Ju, nga zemra e gjerë e Papës doli, si e papritur e madhe, kjo mbledhje ndihmash nga Evropa - për Ukrainën. U mblodhën fonde, që janë  shenjë solidariteti nga ana e të gjithë katolikëve të Evropës. Janë donacione, që Papa i mori për të gjithë ukrainasit. Prej këndej, mesazhi është universal: dashuri e solidaritetet për të gjitha viktimat e krizës humanitare, që kanë uri, u mungojnë ilaçet, shtëpitë, shkollat, si pasojë e shkatërrimeve nga konfliktet. Përmes Karitaseve të ndryshme të Kishës greko-katolike, Kishës latine, Kishës ortodokse, sepse Papa dëshiron që kjo të jetë ndihmë për të gjithë, t’i lehtësojë  sadopak të gjithë, t’u japë shpresë për ardhmërinë e këtij vendi, që ne dëshirojmë ta shikojmë të lirë: me njerëz, që kanë cilësi njerëzore e shpirtërore e që, sidomos ka fenë tonë të krishterë. Prandej shpresoj  se ky  mesazh vëllazërie, ndihme, solidariteti nga ana e Papës, do t’u çojë të gjithëve gëzimin e Ungjillit.  

11/07/2017 12:11