2017-07-11 13:40:00

Papa Françesku: “Dhurimi i jetës”, udhë e re për lumnimin


U botua sot Letra Apostolike në formë Motu Proprio “Maiorem hac dilectionem”. Me të, Papa Françesku merr vendimin, sipas të cilit “dhurimi i jetës është një fakt i ri i rrugës së procesit kanonik të lumnimit dhe të shenjtërimit, që dallohet nga faktet mbi martirizmin dhe virtytet heroike”.

Me  Motu Proprion “Maiorem hac dilectionem” lidhur me dhurimin e jetës, Papa Françesku i hap rrugën lumnimit të atyre besimtarëve, që dhuruan heroikisht jetën e vet për të afërmin, duke pranuar lirisht e vullnetarisht  vdekjen e sigurt e të parakohshme. Një e re, kjo, që modifikon rregullat, në vijim prej shekujsh. Mbetet e nevojshme që, në këto raste, të vërtetohet ushtrimi, të pakën në mënyrë të zakonshme, i virtyteve të krishtera, para dhurimit të jetës. E për lumnimin, duhet vërtetuar edhe një mrekulli pas vdekjes.

Deri tani Kisha, për fillimin e procesit të lumnimit të një Shërbëtori të Zotit,    parashikonte përshkimin e njërës prej këtyre udhëve: “Udhës së martirizimit, ose asaj të viryteve heroike”. Por është edhe një udhë e tretë. Më pak e njohur e edhe më pak e rrahur – por me të njëjtin përfundim, ashtu si dy të tjerat. Është udha, që njihet si e “casus excepti’, siç quhet nga Kodi i së Drejtës Kanonike i 1917-tës (krh cann. 2125-2135). Njohja e kësaj udhe të çon në konfirmimin e një kulti të lashtë, pas papnisë së Aleksandrit III (?1181) e para  vitit 1534, ashtu siç pati vendosur Urbani VIII (1623-1644), ligjvënës i Çështjeve të Shenjtorëve. Riafirmimi i kultit të lashtë quhet edhe “lumnim ekuipolent” apo “me të njëjtën vlerë”.

Kësaj udhe sot i shtohet edhe një tjetër: kjo e dhurimit të jetës.  Në të vërtetë kohët e fundit Kongregata për Çështjet të Shenjtorëve, nuk mundi të mos i bënte vetes pyetjen: “A nuk e meritojnë lumnimin Shërbëtorët e Zotit që, të frymëzuar nga shembulli i Krishtit, dhuruan dhe flijuan lirisht e vullnetarisht jetën  e tyre për vëllezërit, duke kryer aktin më të lartë të dashurisë, gjë që ishte edhe shkaku i vdekjes së tyre, e duke vënë, kështu, në jetë, Fjalën e Zotit: “Dashuria më e madhe, që mund të tregojë kush, është: të japë jetën e vet për miqtë e vet?”.

Reflektimi për këtë fakt nisi me Benediktin XIV, i njohur me epitetin ‘Magister”, që nuk i përjashtonte nga nderimet e altarit, ata që kishin dhënë jetën në një akt të lartë dashurie të krishterë, siç është, për shembull, ndihmesa e të sëmurëve gjatë epidemive të kolerës, pasuar nga vdekja për shkak të ngjitjes së sëmundjes.

E gjithë kjo problematikë nisi të bëhet objekt reflektimi në Kongregatë, duke nisur nga viti 2014.








All the contents on this site are copyrighted ©.