2017-07-10 15:52:00

Samiti i G 20 në Hamburg: sukseset dhe dështimet


Një rast i madh u humbë. G20 nuk arriti marrëveshjen për  sanksionimin e trafikantëve të qenieve njerëzore. Dështoi, për shkak të opozitës së Rusisë e Kinës, përpjekja e BE-së për të vendosur në dokumentin përfundimtar të samitit të Hamurgut pjesën mbi masat ndërkombëtare kundër trafikantëve. Një tjetër aspekt ky me rëndësi të madhe lidhur me emergjencën e emigracionit. Po t’i kthehemi punimeve e sidomos rezultateve e dështimeve të G20, e nga Hamburgu të ndjekim shërbimin e Albert Bisakut..................

Të shtunën e kaluar në Hamburg përfundoi samiti i 20 vendeve më të industrializuara të botës. Mbi 6000 pjesëmarrës nga e gjithë bota, përshirë këtu presidentë, kryeministra, delegacione dhe organizata të shumta ndërkombëtare, gjatë dy ditëve të samitit (7 e 8 korrik) diskutuan tema të rëndësishme, që sipas tyre janë sfidat më të mëdha globale.

Organizatorja e këtij samiti, kancelarja Angela Merkel duke i bërë një rezyme samitit të G20 është shprehur e kënaqur me sukseset qe janë arritur në disa tema.

Sa i përket luftës kundër terrorizmit që ishte pika e parë e diskutimit në hapje të samitit, shefat e G20 kanë dal me një deklaratë të përbashkët në të cilën sipas kancelares Merkel „Terrorizmi ndërkombëtarë nuk njeh kufij dhe është kërcenim për te gjitha vendet “. Po ashtu është marrë një vendim që në kuadër të Kombeve të Bashkuara vendet të bashkëpunojnë më shumë, duke e bërë më të lehtë edhe shkëmbimin e informatave për personat që dyshohen për terrorizëm.

Një temë që është diskutuar gjatë në samit ka qenë ekonomia globale, rregullimi i tregut të financave dhe tregtia e lirë. Kjo e fundit sidomos nuk ka qenë ndonjë pengesë, derisa në krye të Shteteve te Bashkuara u zgjodh president Donald Trump, i cili me kursin e tij politik “Amerika e para”, i vuri në plan të parë interesat kombëtare të vendit te tij. Por edhe në këtë pikë liderët në samit, përfshirë edhe presidentin Trump e kanë arritur një kompromis, duke u përcaktuar për një treg të lirë dhe kundër protektonizmit. Kancelarja Merkel e ka konfirmuar këtë lajm si një sukses të madh. Merkel u shpreh: „Jam e lumtur se kemi arritur ta themi qartë se tregjet do të lihen të hapura dhe do të luftohen praktikat e padrejta të tregtisë “.

Vështirësi të mëdha në samit janë shfaqur sidomos në debatin për mbrojtjen e klimës. Sipas kancelares Merkel „Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se do të tërhiqen nga Marrëveshja e Parisit. Por jam e lumtur se të gjitha vendet tjera e konsiderojnë Marrëveshjen e Parisit për klimën si një proces të pakthyeshëm dhe se vendimet e marra duhet sa më shpejtë të implementohen. Në një konferencë për shtyp presidenti i Francës, Emanuel Macron është treguar optimist. Ai tha se shpreson ta bind presidentin amerikan Donald Trump të mbetët pjesë e Marrëveshjes për mbrojtjen e klimës, deri në konferencën që zhvillohet me 12 dhjetor në Paris.

Pikë e veçantë e këtij samiti është konsideruar zgjatja e duarve mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, të cilët u takuan për herë të parë që nga zgjedhja e presidentit Trump në krye të SHBA-ve. “Është një nder për mua të jam me ju” i ka thënë presidenti Trump dhe si përgjigje erdhi nga presidenti Putin “Jam shumë i lumtur t`ju takojë personalisht”. Pastaj presidentët e dy superfuqive kanë vazhduar takimin e tyre me dyer të mbyllura që ka zgjatur më shumë se dy orë e gjysmë, shumë më tepër se ishte pritur. Në ata takim presidentët Trump dhe Putin kanë folur për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe çështje tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Dy presidentët kanë thënë se shpresojnë të arrihen rezultate pozitive për temat e diskutuara, në mesin e tyre edhe për një armëpushim në Jugperëndim të Sirisë.

Liderët politik kanë diskutuar edhe tema tjera në samit si çështja e refugjatëve, forcimi i marrëdhënieve me vendet në kontinentin afrikan, si dhe të drejtat e grave.

Ky samit që nuk mund të konsiderohet si ndonjë sukses i madh politik, shumë më tepër ka për të ngelur në kujtesë si një ngjarje ku ka dominuar dhuna dhe kaosi. Gjate 3 ditëve protestuesit e ardhur edhe nga landet e tjera të Gjermanisë si dhe vende të ndryshme të Evropës në Hamburg kanë djegur qindra makina, kanë thyer dyqane dhe restorante, kanë bllokuar rrugët dhe krijuar barriera duke e nxjerr situatën tërësisht nga kontrolli dhe duke e lënë nën hije samitin që zhvillohej brenda mureve. Samiti i G20 në Hamburg edhe përkundër lëvdatave të shumta, siç e vlerësoi edhe presidenti Trump për organizim kancelaren Merkel, ka pasqyruar hiq më pak se situatën e përgjithshme globale. Me 476 policë të lënduar, 186 persona të arrestuar, shumë zjarr dhe akte kriminale, ky samit sa mund të vlerësohet i suksesshëm, aq mund të shihet edhe si dështim jo vetëm për sigurinë gjermane dhe kancelaren Merkel, por edhe liderët botërorë.

Nga Hamburg  Albert Bisaku








All the contents on this site are copyrighted ©.