2017-07-10 15:47:00

Kulti Hyjnor: mbikqyrje, që buka e vera të jenë të përshtatshme për Eukaristinë


U botua, këto ditë, një Letër qarkore kushtuar “bukës dhe verës, që përdoren për Eukaristinë”, drejtuar ipeshkvijve nga Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, me porosi të vetë Papës Françesku. Dokumenti i nxit ipeshkvijtë  “t’i kenë nën mbikqyrje cilësinë e bukës dhe të verës, të caktuara për Eukaristinë, si dhe ata, që i përgatisin, duke u dhënë edhe  udhëzime praktike”.

Ndërsa deri tani kanë qenë zakonisht disa bashkësi rregulltare, që janë kujdesur për të përgatitur bukën dhe verën për kremtimin e Eukaristisë, sot - lexohet në tekst - këta shiten edhe në supermerkate, në dyqane të tjera e deri përmes internetit. Për të mos krijuar asnjë dyshim rreth vlefshmërisë së lëndës eukaristike, Dikasteri i këshillon ipeshkvijtë të japin udhëzime në këtë drejtim, për shembull, "duke e garantuar lëndën eukaristike përmes çertifikatave përkatëse”.

Kujtohet edhe se “buka që përdoret në kremtim, duhet të jetë e pambrume, krejtësisht prej gruri, e freskët, pa rrezik mykjeje”. Është shpërdorim i rëndë të përzjehen me bukën e Eukaristisë lëndë të tjera, si fruta, sheqer ose mjalt. Kuptohet vetvetiu se hostet duhet të përgatiten nga njerëz që jo vetëm dallohen për ndershmëri, por janë edhe specialistë në këtë lëmë si dhe që i kanë të gjitha mjetet e përshtatshme për përgatitjen e  tyre.

Vera duhet të jetë natyrale: verë e pastër, safi rrushi, e papërzjerë me lëndë të huaja. Duhet ruajtur në kushte të përshtatshme, që të mos uthullohet. Është e ndaluar rreptësisht të përdoret verë, që nuk dihet nga vjen e si është prodhuar. Kisha kërkon të respektohen plotësisht kushtet e nevojshme për vlefshmërinë e sakramenteve.

Përsa u përket normave, që kanë të bëjnë me njerëzit të cilët, për arsye të ndryshme, nuk mund të hanë bukë të gatuar normalisht, ose të pinë verë të fermentuar normalisht, saktësohet se “Hostet pa glutinë janë të pavlefshme për Eukaristinë”. Janë të vlefshme vetëm pjesërisht pa glutinë, por pa lëndë të tjera, që ia tjetërsojnë natyrën bukës." Mushti, domethënë lëngu i rrushit, i freskët, i ruajtur duke ia ndërprerë fermentimin përmes procedurave që nuk ia tjetërsojnë natyrën, është lëndë e vlefshme për Eukaristinë”.

Pohohet, pastaj, se “lënda eukaristike e përgatitur me organizma gjenetikisht të modifikuara, mund të konsiderohet lëndë e vlefshme”.

Duke parë kompleksitetin e situatave e të rrethanave, si mungesa e respektit për mjediset kishtare - përfundon Letra - është e nevojshme që autoritetet kompetente të garantojnë vlefshmërinë e lëndës eukaristike nga ana e prodhuesve si dhe shpërndarjen dhe shitjen e saj në kushtet e duhura.

Letra nënshkruhet nga prefekti i Dikasterit, kardinali Robert Sarah, si dhe nga sekretari, kryeipeshkvi Artur Roche.








All the contents on this site are copyrighted ©.