2017-07-10 12:30:00

Ipeshkvijtë evropianë: të zhduken të gjitha armët bërthamore


“Duke pasur parasysh natyrën e armëve bërthamore, që shkatërrojnë gjithçka e gjithkënd, pa kurrfarë dallimi, bota duhet të bëjë diçka më shumë se të frikësohet përballë rrezikut të përdorimit të këtyre mjeteve të tmerrshme të vdekjes. I ftojmë SHBA-të dhe Kombet Evropiane të punojnë  edhe me kombet e tjera për hartimin e një strategjie të besueshme, të verifikueshme e të zbatueshme për zhdukjen e plotë të armëve bërthamore”. Kërkesa bëhet përmes një deklarate të kryeipeshkvit  Jean-Claude Hollerich, kryetar i “Justitia et Pax” Europa dhe nga ipeshkvi Oscar Cantù, kryetar i Komitetit të ipeshkvijve amerikanë për paqen dhe drejtësinë ndërkombëtare.

“Edhe një ndeshje e kufizuar bërthamore, do të kishte pasoja shkatrrimtare për njerëzit e për vetë Planetin; e një gabim sado i vogël njerëzor, mund të shkaktonte një katastrofë të vërtetë humanitare” - lexohet në deklaratën, rimarrë nga Agjencia Sir. Nuk është e lehtë t’i japësh përgjigje kërkesës për zhdukjen e armëve bërthamore,  as përballë kërcënimeve të botës sonë shumëpolare. E gjithë kësaj i shtohet edhe fakti se programet, që po vënë në jetë SHBA-të për modernizimin e arsenaleve bërthamore, kërkojnë shpenzime të mëdha, të cilat do të mund të përdoreshin për nevoja të tjera shumë më urgjente të popullsisë.

“Nuk na takon ne të përcaktojmë udhën që duhet të ndjekë procesi i gjatë e i ndërlikuar i çarmatimi bërthamor” - shkruajnë ipeshkvijtë - të cilët, megjithatë, përvijojnë disa nga etapat që mund t’i çojnë përpara zotimet e marra për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe çarmatimin, në përkim me kuadrin juridik ndërkombëtar. Ndërmjet të tjerave, kujtojnë forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe të kontrollit në nivel ushtarak, diplomatik e politik si dhe marrjen e vënien në jetë të masave për thellimin  e besimit reciprok në të gjitha nivelet”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.