Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në Engjëllin e Tënzot: Jezusi nuk i zgjidh magjikisht problemet, por na bën të fortë

Papa në Engjëllin e Tënzot - ANSA

09/07/2017 14:17

Kur punët shkojnë keq, ndonëse është e vështirë të reagosh, duhet të dalësh nga vetvetja e të ndjekësh Zotin, që na bën të fortë, nga nxjerr nga “rërat e lëvizshme” për të na shtrirë dorën e për t’i drejtuar sytë kah ai, që na do me të vërtetë. Kështu u shpreh Papa në Engjëllin e Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke reflektuar për Ungjillin e sotëm sipas Mateut, në të cilin Jezusi na fton: “Ejani tek unë të gjithë ju, që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh”.

Duhet dalë nga vetvetja, pra! Por kjo nuk mjafton. Duhet të dish edhe për ku je nisur, ku do të shkosh! Kështu nisi ftesa e Papës në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot,  për t’ia hapur portën e jetës sonë Krishtit, pa u ndaluar në caqe shpesh herë të rreme. Caqe që….:

“…të premtojnë çlodhje e të hutojnë paksa, të qetësojnë e të zbavisin, por duke të lënë, më pas, përsëri në vetmi. S’janë tjetër, veçse fishekzjarre që, pasi t’i verbojnë sytë për një çast, të zhysin edhe më keq në errësirë. Prandaj Jezusi na tregon se ku duhet të shkojmë e na thotë: ‘Ejani tek unë!’”.

Kur jeta na rëndon keqas mbi shpirt a kur na sulmojnë nga të katër anët dhimbjet - vërejti Françesku -  ndjejmë nevojën ta shkarkojmë barrën e rëndë të shpirtit me dikë, që di të na dëgjojë, me një mik, një specialist. Gjë shumë e mirë - nënvizoi - por pa e harruar kurrë Zotin:

“Nuk duhet të harrojmë t’ia hapim zemrën Atij, t’ia rrëfejmë jetën tonë, t’ia besojmë njerëzit e ngjarjet. Ndoshta kemi zona të jetës, që nuk ia kemi hapur e që kanë mbetur të errëta, sepse nuk e kanë parë kurrë dritën e Zotit. Secili nga ne ka historinë e vet. E nëse ka edhe zona të errëta, ta kërkojë Jezusin, të shkojë tek ndonjë misionar i mëshirës, tek ndonjë prift, të shkojë… Të shkojë tek Krishti vetë e t’ia tregojë ç’ka për t’i treguar”.

Sot Ai i thotë secilit nga ne: “Zemër, mos lejo të të shembin barrët e jetës, mos u mbyll në vetvete përballë frikës a mëkateve, por eja tek unë”.

Papa vijoi reflektimin kushtuar fragmentit ungjillor, në të cilin Jezusi i nxit “gjithë të lodhurit prej barrës së rëndë”, ta ndjekin, sepse e di mirë sa  rëndë peshon nganjëherë jeta e sa shumë gjëra e lodhin dhe e këpusin zemrën: zhgënjimet, plagët, padrejtësitë, por edhe pasiguritë e shqetësimet e të gjitha natyrave, që i zënë vendin njëri-tjetrit pa pushim, pa gjetur kurrë paqe.  Jezusi - kujtoi Papa - na fton të lëvizim, të kundërveprojmë:

“Është gabim, kur punët shkojnë mbrapsht, të rrish i ngrirë aty ku je. Duhet të reagosh!”.

Duket gjë e lehtë, por sa e vështirë është të reagosh, ta hapësh zemrën! Nuk është aspak e lehtë. Në çastet e errëta, kur zemra vajton, të duket e natyrshme të mbyllesh në vetvete e të mendosh sa e padrejtë është jeta, sa mosmirënjohës njerëzit e sa e mbrapshtë bota! E kështu me radhë. Gjë që e dimë mirë të gjithë, sepse e kemi provuar. E ndoshta edhe tepër shpesh. Por kur rrimë kështu, të ngrirë, të mbyllur në kullën e vetvetes, shikojmë para vetëm zi. Atëherë arrijmë deri në atë pikë, sa të na pëlqejë trishtimi, që bëhet i shtëpisë. Ai trishtim që s’bën tjetër, veçse na rrëzon përdhe, na poshtëron. Gjë e shëmtuar, ky trishtim. Jezusi nuk e do! Përkundrazi, dëshiron të na nxjerrë nga këto ‘rëra të lëvizshme’, që mund të na përpijnë:

“E prandaj edhe i thotë secilit nga ne: 'Eja!'. 'Kush? Unë?'. 'Ti, ti, ti!'. Rrugëdalja gjindet tek marrëdhënia, tek dora që të shtrihet, tek syri, që shikon drejt Atij, që na do me të vërtetë”.

Zoti - vijoi Françesku - na pret! Jo për të na i zgjidhur problemet me shkopin magjik, por për të na bërë të fortë përballë tyre; nuk na e shkarkon barrën e jetës, por ankthin e zemrës, nuk na e heq kryqin, por e mbart bashkë me ne. Prandaj me Të çdo barrë bëhet e lehtë, sepse është Ai vetë çlodhja, që e kërkojmë me afsh në rrugët dredharake të jetës:

“Kur në jetë hyn Jezusi, arrin paqja, ajo, që mbetet në shpirt edhe gjatë provave, vuajtjeve. Të shkojmë tek Jezusi, t’ia japim kohën tonë, ta takojmë çdo ditë në lutje, në një dialog besimplotë e personal, të familjarizohemi me Fjalën e Tij, ta zbulojmë pa frikë faljen e Tij, ta shuajmë urinë me Bukën e Tij të jetës”.

Vetëm kështu - siguroi Papa - do ta ndjejmë veten të dashur e të ngushëlluar:

“Të mësohemi për të shkuar tek Jezusi e, ndërsa në muajt e verës kërkojmë të çlodhemi pakëz nga gjithçka na këput në korp e në shpirt, të mos harrojmë se çlodhjen e vërtetë mund ta gjejmë vetëm në Zotin”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi shtegtimin, që po bën familja e madhe e Radio Marisë në Shenjtëroren e Çestokovës, në Poloni, dhe i ftoi të pranishmit të thonë së bashku një lutje drejtuar Zojës. Së fundi, përshëndeti edhe fëmijët e Korit “Puzangalan” - “Shpresa”, ardhur nga Taivani.

09/07/2017 14:17