2017-07-09 08:00:00

Nga veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës Katolike


Nuk mund të quhen “pushime” ato që filloi Papa Françesku më 1 korrik, sepse Ati i Shenjtë do të vijojë të qëndrojë në Shtëpinë e Shën Martës,në Vatikan, por gjatë këtij muaji nuk do të ketë audienca të përgjithshme, si zakonisht, të mërkurave. Ati i Shenjtë do t’i reduktojë impenjimet, megjithëse nuk përjashtohen dalje sporadike të tij nga Vatikani.

Siç njofton Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, audiencat do të rifillojnë në gusht në Sallën Pali VI. Takimi i vetëm publik i Papës mbetet Lutja e Engjëllit të Tënzot, çdo të diel, në Sheshin e Shën Pjetrit, me besimtarët e ardhur nga e gjithë bota. Gjithashtu, meshët e mëngjesit, që Françesku kremton në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në praninë e grupeve të besimtarëve, nuk do të kremtohen gjatë muajve korrik e gusht, por do të rifillojnë në gjysmën e dytë të shtatorit.

 “E tëra ka epërsi ndaj pjesëve”. Ky ishte një nga katër parimet, që përmendi Papa Françesku, në mesazhin për Takimin e G20-ës në Hamburg të Gjermanisë. “Problemet – shkruan Ati i Shenjtë – duhen zgjidhur konkretisht e duke u kushtuar vëmendjen e duhur veçorive të tyre, por zgjidhjet, për të qenë të qëndrueshme, nuk mund të mos kenë horizont më të gjerë. Duhen marrë parasysh pasojat mbi gjithë vendet e qytetarët e tyre, si edhe duhen respektuar mendimet e opinionet e secilit”.

Duke cituar Benediktin XVI, Papa Françesku i ftoi liderët e G20-ës të mos kufizohen vetëm në aspektet, që u interesojnë vetëm 20 vendeve të botës, pavarësisht se ato përfaqësojnë 90% të prodhimit ekonomik botëror. Ajo popullsi, që prodhon vetëm 10% të ekonomisë botërore, është shumica e planetit, e vuan më shumë nga kriza ekonomike për të cilën ka pak përgjegjësi, shtoi Ati i Shenjtë. Njëkohësisht, është edhe ajo, që ka “potencialin më të madh për të kontribuar në përparimin e të gjithëve”. Këtu qëndron arsyeja për respektimin e OKB-së, të organizatave rajonale e të traktave ndërkombëtare, të cilat nuk duhen konsideruar fjalë në letër, për të gjetur kështu, zgjidhje “vërtet universale dhe të qëndrueshme, për të mirën e të gjithëve”.

 “Më 16 tetorin e ardhshëm, me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit, që sivjet do të reflektojë mbi temën ‘Të ndryshohet e ardhmja e emigracionit’, Papa Françesku do të vijë në FAO”. Lajmin e dha më 3 korrik, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, ndërsa merrte pjesë në përurimin e konferencës së 40-të të përgjithshme të  Organizatës së OKB-së për Ushqimin e Bujqësinë (FAO).

Në atë rast, prelati lexoi mesazhin e Françeskut për pjesëmarrësit në punime, të cilëve u siguroi përkrahjen e Selisë së Shenjtë. Vatikani, nënvizon Papa në mesazh, “dëshiron të favorizojë jo objektiva teorike zhvillimi, por zhdukjen e vërtetë të urisë e të kequshqimit” në botë. Me vetëdijen se “nuk mjafton ndjeti për sigurimin e bukës së përditshme për të gjithë, por është e nevojshme t’u njihet të gjithëve e drejta për ta pasur atë”.

 Në fjalën drejtuar anëtarëve të FAO-s, Papa Françesku nënvizon se uria është fenomen “strukturor” i disa zonave gjeografike, për shkak të “inercisë së shumë njerëzve dhe egoizmit të pak të pasurve”, që kanë në dorë ekonominë botërore. Luftrat, terrorizmi, zhvendosja e detyruar e njerëzve, që gjithnjë e më tepër pengojnë, ose, së paku, kushtëzojnë bashkëpunimin, ngre zërin Ati i Shenjtë, nuk janë fatalitete, por rezultat i vendimeve të qëllimshme.

Është mekanizëm i ndërlikuar, denoncon Papa, që godet kategoritë më të brishta, të cilat përjashtohen nga proceset prodhuese dhe detyrohen t’i lënë tokat e tyre për të kërkuar gjetiu shpresën e jetës. Njësoj, vendime të mirënjohura e të programuara janë ato, që përcaktojnë ndihmat gjithnjë e më të pakta për vendet e varfëra.

Duke pasur parasysh Sinodin e ardhshëm të ipeshkvijve me temë “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjeve shenjte”, në program në Vatikan, në tetor 2018 e, në përkim me dëshirën e Papës Françesku për t’u njohur me opinionet e vetë të rinjve nga të gjitha kontinentet, Konferenca e Ipeshkvijve Zviceranë filloi sondazhin në internet. Konsultimi me titull “Thuajani Papës!” është i hapur për moshat nga 16 deri në 29 vjeç, pavarësisht nga feja. Deri më 30 nëntor, çdo i ri mund ta plotësojë formularin “on line”, në formë anonime.

Është fjala për 20 pyetje, përgjigjet e të cilave do të publikohen këtë vit e do të dërgohen si raport në Romë, për të kontribuar në përgatitjen e Sinodit. Teksti mund të kërkohet në adresën email info@fachstelle.info.       

Më 5 korrik, ndërroi jetë kardinali Joachim Meisner, i cili nga viti 1988 deri më 2014, ka qenë kryeipeshkëv i Këlnit. Në një telegram, shkruar e nënshkruar personalisht për kryeipeshkvin aktual të Këlnit, imzot Rainer Woelki, Papa vë në dukje mallëngjimin me të cilin mori vesh lajmin e papritur. “Me fe të madhe e dashuri të sinqertë për Kishën – pohon Ati i Shenjtë në telegram – kardinali Meisner iu përkushtua kumtimit të Lajmit të Mirë të Ungjillit”. “Krishti Zot – shkruan më tej Papa – e shpërbleftë për impenjimin e tij besnik e të patrembur në të mirë të njerëzve të Lindjes e të Perëndimit”. Ish-kryeipeshkvi i Këlnit, ishte njëri nga të katër prelatët, autorë të “Dubia”-s, letrës drejtuar Papës Françesku për sqarime mbi Nxitjen Apostolike “Amoris Laetitia”, si edhe anëtar i Këshillit të Kardinajve për studimin e problemeve organizative dhe ekonomike të Selisë së Shenjtë. Vdiq në moshën 83-vjeçare.

Po javës së kaluar e, pikërisht të mërkurën në darkë, vdiq, në moshën 80-vjeçare, ish-drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, spanjolli Joaquin Navarro-Valls. Për mëse 20 vjet zëdhënës i Papës, Navarro-Valls është pazgjidhshmërisht i lidhur me figurën e Shën Gjon Palit II, i cili e thirri në krye të Sallës së Shtypit në vitin 1984. Ka qenë i pari laik, zëdhënës papnor. Që atëherë, sistemi komunikativ i Selisë së Shenjtë mban gjurmën e tij të pashlyeshme. Navarro-Valls shërbeu edhe gjatë vitit të parë të papnisë së Benediktit XVI.

Funerali i tij u kremtua të premten në Bazilikën e Shën Eugjenit, në Romë, nga vikari i përgjithshëm i Prelaturës së Opus Deit, ku bënte pjesë i ndjeri, imzot Mariano Fazio, së bashku me pasardhësin e tij në krye të Sallës së Shtypit, atë Federico Lombardi. Të pranishëm, personalitete kishtare e civile, si zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, imzot Giovanni Angelo Becciu, kardinali Jean Louis Tauran, themeluesi i Bashkësisë së Shën Egjidit, Andrea Riccardi, fotografi zyrtar i Papës shenjt Gjon Pali II, Arturo Mari e të tjerë. Mjekja e Navarro-Valls tregoi se në ditët e fundit pati kërkuar t’i dhuronte organet pas vdekjes.








All the contents on this site are copyrighted ©.