Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Me 7 korrik, kalendari përkujton Shën Astin, ipeshkëv i Durrësit e martir.

Kapela e shen Astit ne amfiteatrin romak te Durresit - RV

07/07/2017 12:25

Me 7 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Astin, ipeshkëv i Durrësit e martir. Për Shën Astin, ipeshkvin e dytë të Durrësit, gojëdhëna na sjell shumë pak lajme e shumë pak është gërmuar arkeologjia apo ndër kujtesa e ndër libra për ta rikrijuar edhe një herë jetën e këtij bariu martir. Dimë me siguri se Shën Asti ishte ndër ipeshkvijtë e parë të Durrësit gjatë sundimit të Trajanit (98-117), në sa Iliriku qeverisej nga Agrikolao. Pikërisht në këtë kohë u martirizua Shën Asti, sepse nuk pranoi të nderonte shtatoren e Dionizit. Duhet të ketë qenë viti 100, kur ipeshkvi trim derdhi gjakun për Krishtin, duke dhënë dëshminë më lartë.

Një ditë të nxehtë të korrikut Shën Astin e zhveshën lakuriq duke i lyer trupin me mjaltë dhe e varën në një pemë, ku dha shpirt pas torturave të mëdha e çnjerëzore. Pastaj trupin e tij e morën të krishterët dhe e varrosën. Më vonë mbi varrin e Shën Astit u ngrit një Kishë e madhe katedrale dhe Shën Asti u shpall mbrojtës i qytetit të Durrësit.

Emri i Shën Astit,  gjendet edhe në përshkrimin e martirizimit të Pelegrinit, Luçianit, Ezikut, Papios, Saturninit e Gjermanit që, sapo ishin strehuar në Durrës, panë trupin e Astit akoma të mbërthyer në kryq e, të ngushëlluar nga flijimi i tij, shpallen se ishin të krishterë dhe pësuan menjëherë të njëjtin fat. Menologu i Bazilit e kremton Astin më 6 korrik e po në këtë datë, edhe Vjetari kishtar greko-sllav.

Ndërsa në Senasarin e Kostandinopojës, festa e tij kremtohet më 7 korrik, së bashku me Shën Pelegrinin e shokët martirë të Durrësit. Emri i Shën Astit ishte i nderuar në gjithë zonën e Shqipërisë Veriore, gjë që e vërteton Kisha e françeskanëve në Rubik e cila, në se i besojmë dëshmive gojore të përcjella brez pas brezi në popull, duhet të ketë qenë fillimisht e Etërve Benediktinë, për t’u kaluar më pas françeskanëve – siç dëshmon Farlati tek vepra monumentale “Illyricum Sacrum”. Kisha e vogël ishte e pikturuar me afreske, poshtë të cilave shkruheshin citate nga Shkrimi Shenjt si edhe emrat e shenjtërorëve të pikturuar. Ndërmjet tyre ishte edhe emri i Shën Astit, ipeshkvit e martirit të Durrësit. 

07/07/2017 12:25