Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Fugurja e Jezu Krishtit - RV

07/07/2017 16:48

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të liturgjisë hyjnore të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik...

Dashuria për ata njerëz që janë të fundmët a të mbramët e  tokës, për të ‘vegjlit’ sipas ungjillit, është tema qendrore e leximeve biblike të kësaj së diele: ligji i mbretërisë së Hyjit është krejtësisht ndryshe nga ligjet e botës, sepse vendos në vend të parë njeriun që është i brishtë, i dobët, të ‘varfrin’: atyre u dëftohet e zbulohet Hyji!

Lutja e hyrjes së Meshës përmbledh shumë mirë mesazhin e liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele: “Zoti, që u dëftohet të vegjëlve dhe u dhuron të përvuajturve, atyre që janë të thjeshtë trashëgiminë e mbretërisë së tij, na bëftë të varfër, të lirë e të ngazëlluar...”

Kjo lidhje ndërmjet varfërisë, lirisë e gëzimit është në qendër edhe të leximit parë nga Libri i Zakarisë profet: mbreti mesianik paraqitet me imazhet e një mbreti të butë, të përvujtë, që u kumton paqen njerëzve, duke përhapur shpresën e gëzimin.

Për lirinë flet edhe leximi dytë nga Letra e shën Palit drejtuar Romakëve: liria si dhuratë e Shpirtit të Zotit, me të cilin është ngushtë e lidhur jeta: “në qoftë se jetoni sipas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin dhe me ndihmën e Shpirtit, atëherë do të jetoni”.

“Pranoni t’ju mësoj unë, që jam zemër butë e i përvujtë”: kjo është thirrja e Krishtit që jehon fuqishëm në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu. Jezusi na fton ta jetojmë lirinë e tij përmes butësisë, mirësisë e përvujtërisë. Në këtë mënyrë ecja gjurmëve të tij, ndjekja pas bëhet barrë e ëmbël dhe peshë e lehtë!

Në Ungjillin e kësaj së diele, nga Shën Mateu ( 11,25-30) na njeh me një nga lutjet e Jezu Krishtit, i cili lëvdon planin e Atit Qiellor. Është plan plot mirësi, që ka të bëjë me shëlbimin e gjithë njerëzimit. Jezusi është i vetëdijshëm për planin shëlbues, që ia beson Ati dhe e pranon pa kushte. Vërtet, lutja është “Po, o Atë” e nuk ka të dytë më të shkurtër e më të plotë se kjo. Përgjigjja pozitive për të kryer vullnetin e Zotit, ashtu si për Jezusin, presupozon edhe për ne pranimin e një “barre”, e cila mund të jetë edhe e rëndë, por nuk duhet të na frikësojë. Vetë Krishti, në Ungjillin e sotëm, na thotë se është “barrë e ëmbël e peshë e lehtë”.

                Liturgjia e Fjalës

Lexim prej Librit të Zakarisë profet (9, 9-10)

Kështu thotë Zoti: “Gëzo me gjithë shpirt, Bija e Sionit, galdo, Bija e Jerusalemit! Ja, mbreti yt, po vjen te ti: është i drejtë e Shpëtimtar, por i përvuajtur e në shpinë të gomarit, në shpinë të gaçit, zogut të gomarit! Nga Efraimi do ta zhdukë karrocën, kalin nga Jerusalemi. Do të copëtohet barku i luftës. Kombeve do t’u shpallë paqen. Sundimi i tij prej detit në det, prej lumit në skajet e tokës!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 145

I bekuar je ti, o Zot, Mbret i përvuajtur i lavdisë

Do të lartësoj, o Mbret, Hyji im,
dhe do ta bekoj Emrin tënd 
përgjithmonë e jetës.
Çdo ditë do të të bekoj,
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd.

Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

Le të lavdërojnë, o Zot, 
të gjitha veprat e tua,
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë 
sate, le të kuvendin për pushtetin tënd.

 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve (8, 9.11-13)

Vëllezër, ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse, në qoftë se jetoni sipas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

ALELUJA, aleluja. 
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.
Aleluja

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut (11, 25-30)

Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: “Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve. 
Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu.
Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njohë Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t’ia zbulojë. Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë, që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.” Fjala e Zotit! Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

07/07/2017 16:48