2017-07-07 13:35:00

Imzot Delpini, kryeipeshkëv i ri i Milanos, zë vendin e kardinalit Scola


Papa Françesku pranoi kërkesën për dorëheqje nga drejtimi baritor i kryedioqezës metropolitane të Milanos, paraqitur nga kardinali Angelo Scola dhe emëroi kryeipeshkvin e ri, imzot Mario Enrico Delpini, deri tani ipeshkëv-ndihmës dhe mëkëmbës i përgjithshëm i së njëjtës kryedioqezë.

Imzot Mario Enrico Delpini, i lindur në Gallarate më 29 korrik 1951, u shugurua meshtar më 7 qershor 1975, duke u inkardinuar në kryedioqezën e Milanos. U diplomua në letërsi pranë Universitetit katolik të Zemrës së Krishtit, në Milano e, më pas, edhe në teologji patristike pranë Augustinianum, në Romë.

Më 1975 shërbeu si profesor i letërsisë klasike në Seveso dhe në seminar, deri më 1985; nga viti 1985 deri më 1987 qe profesor i letërsisë klasike në Venegono, në seminarin gjimnazial. Nga 1987 deri më 1989 ishte në Romë, student pranë Seminarit Lombard. Nga 1989 deri më 1993 qe Rektor i Seminarit-Lice në Venegono, mësues i Bashkësisë parapërgatitore dhe Kursit dyvjeçar Teologjik si dhe  Sekretar i Lidhjes së Seminareve Lombarde. Nga 1993 deri më 2000, Rektor i Katërvjeçarit Teologjik.

Nga viti 2000 deri më 2006, kreu detyrën e Këshilltarit të Këshillit Ipeshkvnor Milanez, të Delegatit kryeipeshkvnor për thirrjet dhe shërbesat ipeshkvnore si dhe të Kryerektorit të Seminarit kryeipeshkvor të Milanos. Ka qenë edhe Kanonik Nderi i Kapitullit të madh të Bazilikës Metropolitane dhe anëtar i Këshllit Presbiteral.

Nga viti 2006 deri më 2007, qe Mëkëmbës Ipeshkvnor për Zonën baritore VI-Melegnano. I zgjedhur në selinë titullare të Stefaniaco si dhe në detyrën e Ipeshkvit-ndihmës të Milanos, më 13 korrik 2007, mori shugurimin ipeshkvnor më 23 shtator të të njëjtit vit. Nga viti  2012 është Mëkëmbës i Përgjithshëm i kryedioqezës së Milanos, Sekretar i Konferencës Ipeshkvnore Lombarde dhe Sekretar i Komisionit Ipeshkvnor për klerin dhe rregulltarët. 








All the contents on this site are copyrighted ©.