2017-07-07 13:41:00

Alarm nga Fao: uria kërcënon botën


Vijon të ndjehet gjithnjë më shumë uria në botë. Duke nisur nga viti 2015 nisi kthimi mbrapsht, në krahasim me vitet e progresit në luftën kundër urisë, në shkallë botërore. Britma e alarmit është e drejtorit të përgjithshëm  të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin e Bujqësinë (Fao), Josè Graziano da Silva, në Konferencën e 40-të të organizatës, mbajtur këto ditë në Romë: “Sot, më se 800 milionë njerëz vuajnë akoma nga uria kronike e gati 60% e njerëzve të kequshqyer jetojnë në vende të dëmtuar rëndë nga luftërat e nga pasoajet e dëmshme të ndryshimeve klimaterike”.

Fao kujton 19 vende, që vijojnë të jetojnë në kushtet e një krize të pafundme, të rënduar vazhdimisht herë nga thatësira e herë nga përmbytjet. Posaçërisht kujtohen Nigeri, Somalia, Sudani i Jugut e Jemeni, që vuajnë nga zija e bukës. Në këto vise më se 20 milionë vetë jetojnë me një ushqim, që nuk respekton asnjë nga normat botërore.

Në këto kushte, për shumëkënd nuk ka tjetër rrugë, veçse të zgjasë numrat e statistikave të emigracionit, deklaroi Graziano da Silva, drejtor i Fao-s , i cili nënvizoi se progresi i arritur në luftën kundër urisë dhe varfërisë  në dhjetvjeçaret e kaluara, sot është në rrezik për shkak të konflikteve, të ndryshimeve klimaterike dhe të modeleve të reja të dietës.

Shkaqet e urisë shpesh duhen kërkuar tek varfëria dhe pabarazia - pohoi drejtori i Fondit ndërkombëtar për zhvillimin bujqësor (Ifad), Gilbert Houngbo, duke folur në hapjen e konferencës e duke kujtuar përjashtimin e prodhuesve të vegjël, nga sistemet ushqimore të prodhuesve të mëdhenj, që e rëndojnë më tej situatën ushqimore, duke e kërcënuar një pjesë të mirë  të njerëzimit me fantazmën e urisë, që është dukur qëkur në vendet e varfëra e tashmë vijon shtegtimin edhe drejt vendeve të ashtuquajtura të pasura, ku nuk mungon alarmi, sepse uria nuk kërcënon më vetëm vendet e varfëra, por gjithë botën!








All the contents on this site are copyrighted ©.