2017-07-06 13:25:00

Selia e Shenjtë: ilaçe për të gjithë, jo vetëm për pak të privilegjuar


Pavarësisht nga premtimet dhe përpjekjet për të realizuar objektivat e zhvillimit të Mijëvjeçarit të Tretë, miliona njerëz kanë mbetur mbrapa. Kështu tha në Gjenevë, Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Ivan Jurkoviç, duke folur në Komisionin e 26-të të përhershëm të Organizatës Botërore për Pronësinë Intelektuale. Gjatë mbledhjes, e cila përqendrohej mbi temën e patentave dhe të shëndetit, u nënvizua mundësia për ilaçe me çmime të arsyeshme, sfidë, jo vetëm për vendet e varfëra, por edhe për ato të zhvilluarat.

Ta hedhim vështrimin mbi të përjashtuarit

 Imzot Jurkoviç përmendi fjalët e Papës Françesku në Enciklikën “Laudato si’”: “shpesh – lexohet në të – nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm për problemet, që prekin sidomos të përjashtuarit. Ata janë pjesa më e madhe e planetit, miliarda njerëz”.

T’u sigurohen ilaçe të gjithëve

Siç pati pohuar edhe më vonë Ati i Shenjtë, në takimin e 14 prillit 2016 me krerët e industrive farmaceutike dhe të diagnostikimit, u duhen siguruar të gjithëve ilaçet. Duhen vazhduar përpjekjet në këtë drejtim derisa të gjenden vullneti, përvoja, fondet dhe metodat, që u garantojnë të gjithëve ilaçet e terapitë e jo vetëm disa të privilegjuarve, sepse nuk ka asnjë jetë njerëzore më të shenjtë se tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.