Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Ndërroi jetë Navarro-Valls, zëdhënësi i paharruar i Gjon Palit II

Navarro-Valls me Gjon Palin II

06/07/2017 12:36

Vdiq dje, në moshën 80-vjeçare, ish-drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, spanjolli Joaquin Navarro-Valls. Për mëse 20 vjet zëdhënës i Papës, Navarro-Valls është pazgjidhshmërisht i lidhur me figurën e Shën Gjon Palit II, i cili e thirri në krye të Sallës së Shtypit në vitin 1984. Që atëherë, sistemi komunikativ i Selisë së Shenjtë mban gjurmën e tij të pashlyeshme. Navarro-Valls shërbeu edhe gjatë vitit të parë të papnisë së Benediktit XVI.

“Hiri nën presion”

“Hiri nën presion”: me këtë tweet, drejtori aktual i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, përmblodhi dëshminë e paraardhësit të tij si i krishterë, gazetar e zëdhënës. Eleganca e stilit bashkuar me dashamirësinë dhe me aftësitë e jashtëzakonshme ishin cilësitë, që të gjithë, kolegë e jo, shihnin tek psikologu, që u bë gazetar, pastaj, korrespondent lufte e së fundi, me dëshirën e Karol Vojtilës, zëdhënës vatikanas. “Si mund t’i thuhet jo Papës?”, përsëriste Navarro-Valls, kur kujtonte çastin e thirrjes nga Papa polak. Vendim revolucionar, si shumë të tjera të Gjon Palit II: asnjë laik nuk e kishte udhëhequr më parë Sallën e Shtypit.

 Në atë kohë, pra, në vitin 1984, Navarro-Valls ishte gazetar i afirmuar i së përditshmes spanjolle Abc, për të cilën kishte ndjekur si korrespondent, shumë konflikte në Lindjen e Mesme. Anëtar laik i Opus Dei-t, e gjeti menjëherë sintoninë me “Komunikatorin e Madh”, Gjon Palin II, i cili e deshi afër deri në fund.

Navarro-Valls pati edhe rol diplomatik për Selinë e Shenjtë

 Gazetar vërtet, por jo vetëm kaq. Navarro-Valls pati edhe një rol diplomatik të rëndësishëm për Selinë e Shenjtë, pasi mori pjesë si delegat i Vatikanit në disa konferenca të OKB-së. Pati rol vendimtar në organizimin e udhëtimeve papnore, mjafton të kujtojmë atë historik, në Kubë. E pastaj takimet në Vatikan e gjetiu, si atë me Mikael Gorbaçovin, por edhe me personalitete të shquara kishtare. Përmendte gjithnjë takimet me Nënë Terezën, si në Vatikan, ashtu edhe në Tiranë. E quante grua me personalitet të jashtëzakonshëm.

I pandarë nga Gjon Pali II

 Bënë xhiron e botës fotografitë e lotëve të zëdhënësit të Papës Vojtila, kur gjatë një konference për shtyp, e pyetën si po e përjetonte agoninë e Gjon Palit II. Me rastin e kanonizimit të Papës së tij të dashur, Navarro-Valls i dha një intervistë emitentes sonë, në të cilën u ndal në “sekretin” e komunikimit të Karol Vojtilës:

“Kur njerëzit thoshin ‘Ai ka të drejtë’ nuk e bënin këtë për shkak të zërit të bukur apo për ndonjë shprehje komunikative madhështore; i jepnin të drejtë njeriut, që thoshte të vërtetën! Tek ai, e bukura, e mira dhe e vërteta dukeshin qartë në komunikim, kaq të lidhura bashkë, saqë kuptohej fare mirë se cilësia e komunikimit varej nga përmbajtja e tij. Pra, [Gjon Pali II] kumtonte Zotin, e bënte të dashur virtytin, thoshte fjalë, që mund ta mbushnin jetën. Mendoj se ky ishte virtyti i komunikimit të tij, jo aq aspekti thjesht formal”.

06/07/2017 12:36