Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Botohet “Fuqia e besimit – reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmet 1-19” shkruar nga don Anton Uka.

don Anton Uka: Fuqia e besimit Psalmet 1-19 - RV

06/07/2017 00:00

Doli nga shtypi libri “Fuqia e besimit – reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmet 1-19” shkruar nga meshtari don Anton Uka, që ndihmon lexuesin për të hyrë në psikologjinë, filozofinë, teologjinë dhe përshpirtërinë e autorëve të Psalmeve të Biblës.

Ky, sipas autorit, është qëllimi i kësaj vepre. Në këtë shkrim “Fuqia e besimit mbi Psalmet 1-19” shqyrton pjesën e parë të Librit biblik të Psalmeve, nga Psalmi 1 deri në Psalmin 19, nga 150 që janë gjithsejtë. Autori, përmes librin Fuqia e besimit – reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmet 1-19”  ofron meditimin, interpretimin dhe komentin e Psalmeve 1-19, duke u nisur nga përvojat e njeriut në marrëdhëniet e tij me Zotin, Krijuesin.

Autori ndalet kryesisht mbi dy pyetje: e parë është: Kush është psalmisti? E dyte pyetje , që mund të na ndihmojë në kuptimin dhe reflektimin e këtyre shkrimeve të shenjta është: Çka janë psalmet? Po më tepër të dëgjojmë bisedën e dom David Gjugjës me dom Anton Ukën, autorin e veprës në fjalë...

Shkruan don Anton Uka, në hyrje të librit Fuqia e besimit – reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmet 1-1: “Me rastin e botimit të vëllimit të parë e konsideroj shumë të arsyeshme të bëj një hyrje të përgjithshme në përvojën njerëzore, shpirtërore dhe psikologjike të psalmeve dhe të autorëve të tyre. Për ta bërë këtë hyrje sa më të thjeshtë dhe më të kuptueshme për të gjithë lexuesit e respektuar, po nisem nga disa pyetje.

Pyetja e parë është: Kush është psalmisti?

Duke marrë në shqyrtim psalmet, do të kuptojmë se psalmisti është një besimtar, apo njeri që beson në Hyjin; që beson në praninë e tij në botë; që beson se Zoti e ka krijuar gjithësinë dhe e mban atë; që beson se Zoti e ka një kujdes dhe dashuri të veçantë për njeriun; që beson se Zoti asnjëherë nuk lodhet së kërkuari njeriun në secilën situatë të jetës së tij, qoftë në gëzimin, lumturinë dhe gjendjen e hirshme të tij, qoftë në hidhërimin, dëshpërimin apo mëkatin e tij; që beson se Zoti e dëgjon lutjen e tij të falënderimit, të kundrimit, të adhurimit, të kërkimit, të ndërmjetësimit; që beson se Zoti e plotëson lutjen e atij që lutet me qëndrueshmëri dhe fe të plotë. Me një fjalë do të thosha se para se gjithash psalmisti është njeri besimtar.

Nga besim i fortë dhe i pakompromis i tij rrjedh edhe titulli i këtij vëllimi: Fuqia e besimit. Pastaj në disa prej psalmeve do të mësojmë se psalmisti është njeri i drejtë. Shprehja i drejtë nënkupton: i mirë, i devotshëm, i çiltër dhe i hapur ndaj pranisë së mistershme të Hyjit.

Gjatë leximit të këtij libri do të zbuloni se edhe psalmisti është njeri i lig dhe mëkatar. Prandaj në këngët dhe lavdet e tija shpreh lutjen mallëngjyese, se më veprat e tija mëkatare ka ofenduar Zotin, ka lënduar vëllain njeri dhe ka shkelur e përbuzur dinjitetin e vetvetes, pra, dinjitetin e të qenit bir i dashur, i pranuar dhe i pëlqyer nga Hyji. Meqë kemi definuar autorin e psalmeve si njeri të drejtë dhe mëkatar, po veçoj një personazh biblik shumë të rëndësishëm, që sipas studiuesve të Shkrimit shenjt i shkroi shumicën e psalmeve, e ky është Davidi mbret. Kardinali i Milanos, Carlo Maria Martini, në një libër të tij kushtuar kësaj figure biblike, Davidin mbret e quan: “Njeri i drejtë dhe mëkatar”.

2 Pyetja tjetër, që mund të na ndihmojë shumë në kuptimin dhe reflektimin e këtyre shkrimeve të shenjta është: Çka janë psalmet?

Pasi kemi shpjeguar kush është psalmisti, në vazhdim po i përgjigjemi kësaj pyetjes dhe duke u bazuar në mësimin e Etërve të Kishës po përmbledh përgjigjen me një fjali të vetme: Psalmet janë fjala e njeriut, fjala e Zotit dhe fjala e Kishës. Psalmet – fjala e njeriut Kur themi „psalmet janë fjala e njeriut‟, nënkuptojmë se janë këngë apo lutje që njeriu ia drejton Zotit. Është, pra, njeriu ai që e merr iniciativën dhe i drejtohet Hyjit. Fakti se ne duke i lexuar, kënduar apo lutur psalmet hasim pikë së pari njeriun apo psalmistin, kjo s‟do të thotë se psalmet nuk janë libër i frymëzuar nga Zoti.

Edhe libri i psalmeve, sikur të gjithë librat tjerë të Biblës, është shkruar nga njeriu, por i frymëzuar nga Fryma e Shenjtë e Hyjit. Kështu që lirisht mund të themi se psalmet janë fjala e Zotit ashtu si do të shohim më gjerësisht në vijim. Mënyra me të cilën njeriu i drejtohet Hyjit përmes psalmeve mund të shprehet në tri forma letrare: në poezi, në këngë dhe në lutje. Siç do të shohim gjatë leximit, njeriu përmes këtyre formave shpreh gjendjen e brendshme shpirtërore dhe psikologjike, të karakterizuar nga besimi dhe mosbesimi, guximi dhe frika, gëzimi dhe hidhërimi, dashuria dhe urrejtja.

Psalmet – fjala e Hyjit Psalmet përveçse janë fjala e njeriut, njëkohësisht janë edhe fjala e Hyjit. Në fjalën e njeriut që këndon, poetizon dhe lutet, është vet Hyji që lutet, që e nxitë dhe e frymëzon njeriun t‟i drejtohet Atij përmes klithjeve të formave të ndryshme.

Pra, është fjala e Zotit dhe Shpirti Shenjt i tij që frymëzojnë psalmistin të thurë këngë, poezi dhe lutje nderimi, falënderimi, ndërmjetësimi dhe kërkimi. Me fjalë tjera, psalmet janë fryt i fjalës së Zotit: “Sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s‟do të kthehet tek unë pa fryt, pa pas kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pas zbatuar atë për çka e nisa” (Iz 55, 10-11). Pra, Zoti i flet njeriut, e këshillon, e shqyrton, e qorton, e ndihmon, e mëson, e ngushëllon, e forcon..., ndërsa njeriu, përmes psalmeve i jep përgjigje Zotit, që i flet zemrës dhe 3 mendjes së tij. Prandaj, në psalme e takojmë fjalën që Zoti ia drejton njeriut dhe fjalën që njeriu ia drejton Zotit. Pra, kemi një marrëdhënie të fuqishme dialogu, bashkimi dhe dashurie mes Hyjit krijues dhe njeriut krijesë; mes Hyjit Atë dhe njeriut bir.

Psalmet – fjala e Kishës Gjatë komentimit të psalmeve do të bindemi se ato nuk janë vetëm lutje apo këngë private, personale, por janë edhe fjala e Kishës, që d.m.th. se e kanë një frymëzim kishtar, universal, ekumenik dhe kozmik. Janë fjala e Kishës për faktin se autori përmes psalmeve nuk këndon apo lutet vetëm për veten e vet, por edhe për të tjerët dhe duke u lutur për të tjerët ndjehet pjesë e një bashkësi dhe e një populli që i përket Zotit.

Sot mund të themi se ndjehet pjesë e një trupi – Kishës, kryet e të cilit është Krishti. Psalmet janë fjala e Kishës edhe për faktin se ato janë lutja zyrtare e saj, që e bashkuar me Krishtin lutet për nevojat e ndryshme të saja. Duke pasur parasysh atë që u tha deri me tani, shohim qartas se psalmet e kanë një porosi të madhe edhe për ne sot. Para se gjithash, ato na mësojnë ta shohim praninë dhe veprën e Zotit në botë; na bëjnë të kuptojmë se Zoti është afër njeriut dhe se kërkon një miqësi dashurie me krijesat e veta.

Psalmet gjithashtu na mësojnë ta rilexojmë mendjen, zemrën dhe shpirtin e njeriut që karakterizohet nga besimi, dashuria, shpresa, ngushëllimi, por edhe nga hidhërimi, mosbesimi, urrejtja, dëshpërimi dhe zhgënjimi. Dhe së fundi, psalmet na mësojnë ta shohim historinë e një populli, e cila karakterizohet nga besimi dhe tradhtia e tij, por të cilit asnjëherë nuk i mungon besnikëria e Zotit, i cili ka lidhë besëlidhje të përjetshme me popullin e vet dhe me çdo kusht dëshiron ta shpëtojë nga robëria e mëkatit.

Pra, në psalme ne takojmë projektin shëlbimprurës, në të cilin janë të ftuar të gjithë njerëzit.

Duke e falënderuar Radio Marinë e Shqipërisë, në krye me Don Prekë Lazraj, për programin që ma rezervoi që këto meditime dhe komentime t‟u transmetoja dëgjuesve tanë të dashur, në fund lus bekimin e Zotit për çdo lexues, me shpresë që Shpirti Shenjt Hyj të Ju shoqërojë gjatë leximit të këtij libri dhe t‟i frymëzojë mendimet dhe veprimet tuaja, ashtu si i frymëzoi edhe ato të autorëve të këtyre psalmeve.

06/07/2017 00:00