2017-07-05 17:00:00

Videomesazh i Papës Françesku për Scholas Ocurrentes: bëni realitet kulturën e takimit


“Faleminderit që impenjoheni të ëndërroni, të kërkoni kuptimin e gjërave, të krijoni, të jeni mirënjohës, të festoni, të përdorni mendjen, duart e zemrën për ta bërë realitet kulturën e takimit”. Kështu u thotë Papa, në një videomesazh, pjesëmarrësve të Kongresit “Katedrat Scholas” të Fondacionit papnor Scholas Ocurrentes, mbledhur që nga 2 korriku në Universitetin hebraik të Jeruzalemit për të diskutuar mbi temën “Ndërmjet Universitetit e Shkollës, duke ndërtuar paqen përmes kulturës së takimit”.

         Ati i Shenjtë ndjehet aty, bashkë me ta, anëtar i së njëjtës organizatë, lindur pikërisht në Argjentinë nga një ide e tij dhe promovuar nga Akademia Papnore e Shkencave pikërisht për t’i bashkuar studentët në dialog. E pikërisht ky dialog vihet në dukje nga Papa në videomesazhin, që mbyll punimet e Kongresit, ku 70 të rinj izraelitë, palestinezë e nga vende të tjera të botës u ulën gju më gju me po aq akademikë nga 41 universitete. “U impenjuat të shiheni në sy – u thotë Françesku, duke iu referuar përvojës së Jeruzalemit – u impenjuat për një vështrim të sinqertë e kjo është e domosdoshme për çdo lloj takimi”. Kështu, vazhdon Ati i Shenjtë në një mesazh mjaft poetik, secili e njeh më mirë tjetrin, jetën e tij, e kupton më mirë atë dhe veten, hap zemrën e shpirtin dhe e ndjen se ky proces është vepër e Zotit. Kemi nevojë ta kremtojmë gjetjen e këtij kuptimi të jetës e të jemi mirënjohës për të.

         Scholas Ocurrentes, thekson më tej Papa, e ndjejnë se kjo ka të bëjë me edukimin, sepse edukimi ia hap dyert së panjohurës, që na çon në një vend të lirë nga paragjykimet, të cilat na bllokojnë, për të ëndërruar më pas rrugë të reja e për t’i kërkuar ato. Prandaj, shtoi Bergoglio, “ne të rriturit nuk mund t’i lëmë fëmijët dhe të rinjtë pa aftësinë për të ëndërruar, e as për të luajtur, që, në një farë kuptimi, do të thotë të ëndërrojnë me sy hapur. Nëse nuk e lejojmë fëmijën të luajë, do të thotë se ne vetë nuk dimë të luajmë e, nëse nuk dimë të luajmë, nuk e kuptojmë as mirënjohjen, as shkëmbimin falas e as krijimtarinë”.

         Sipas Papës, takimi i Jeruzalemit, që përfundoi sot, u mësoi të rriturve t’i dëgjojnë fëmijët e të rinjtë me shpresë, në mënyrë që ëndrrat e tyre të shtohen e të përhapen. Ëndrra, kur ndahet me të tjerët, thotë Ati i Shenjtë në videomesazh, bëhet utopia e një populli, mundësi për të krijuar një mënyrë të re jetese. “Utopia jonë – nënvizon – ajo e ne të gjithëve që, në një farë mënyre, formojmë Scholas Ocurrentes, është të krijojmë, përmes këtij edukimi, kulturën e takimit. Mund të bashkohemi, duke vlerësuar larminë e kulturave për të arritur jo në uniformitet, jo, por në harmoni. E sa ka nevojë për këtë bota kaq e ‘atomizuar’! Kjo botë, që ka frikë nga të ndryshmit, e që, duke u nisur nga kjo frikë, nganjëherë, ndërton mure, të cilat e shndërrojnë realitetin në ëndrrën me të keqe të mundshme, e na bën të jetojmë si armiq. E sa ka nevojë kjo botë të dalë për t’u takuar!”

         Kjo, edhe arsyeja për të cilën Papa Françesku falenderoi, së fundi, Universitetin Hebraik dhe të gjitha Universitetet e botës mbledhur në Jeruzalem, duke u shprehur mirënjohjen për guximin e impenjimin e tyre në krijimin e kulturës së takimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.